Mbrëmje spektakolare në “San Siro”, ku Inter siguron finalen e Coppa Italia pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme ndaj Como, me rezultatin 3-2.

Ndeshja nis me ritëm të lartë nga miqtë, të cilët i afrohen golit që në minutën e 9-të me një goditje në traversë nga Kempf. Presioni shpërblehet në minutën e 32-të: aksion i bukur nga e djathta dhe Baturina dërgon topin në rrjetë për 0-1.

Inter reagon menjëherë, por goditja me kokë e Thuram ndalet mbi vijë nga Perrone. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin minimal të Comos.

Në startin e pjesës së dytë vjen edhe goditja e dytë për zikaltërit: në minutën e 48-të Da Cunha shfrytëzon një kundërsulm dhe realizon për 0-2. Por aty nis gjithçka për skuadrën vendase. Në minutën e 69-të, Calhanoglu rihap sfidën me një goditje të saktë nga distanca. Inter shton presionin dhe në minutën e 86-të është sërish turku protagonist, këtë herë me kokë, pas asistit të Sucic, për të barazuar shifrat në 2-2.

Kur gjithçka dukej se do të shkonte drejt shtesave, vjen momenti vendimtar: në minutën e 89-të Sucic finalizon një aksion perfekt dhe shënon golin e fitores 3-2, duke vulosur përmbysjen e madhe.

Inter shkon kështu në finalen e 16-të në historinë e saj në Coppa Italia dhe pret tashmë fituesin e përballjes mes Atalanta dhe Lazio.

I lumtur pas këtij suksesi ishte edhe tekniku Christian Chivu: “Ky rezultat është fryt i punës së një grupi që po bën shumë mirë që nga fillimi i sezonit; kur thirren në lojë, ata e tregojnë këtë. Ata që u futën nga pankina dhanë një ndihmë të madhe, duke e kuptuar momentin dhe duke ditur çfarë të bëjnë. Treguan personalitet dhe guxim, dhe ishin vendimtarë si Sucic, ashtu edhe Diouf dhe Pio Esposito. Ky grup ka një dëshirë të jashtëzakonshme për të qenë konkurrues deri në fund.”.

Edhe gazetat prestigjoze italiane në faqe të pare kishin suksesin me përmbysje të zikaltërve ndaj Comos. “Një Inter i çmendur” dhe “Inter në infinit”, ishin disa prej titujve kryesorë të tyre.

Corrieree
 
La Gazzetta
 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: