Të paktën 46 persona kanë vdekur e 7 janë plagosur nga një aksident tragjik në Strumës në Bullgari.

Sipas raportimeve, në autobus udhëtonin kryesisht shtetas nga Maqedonia e Veriut, ku 44 viktima janë shqiptarë. Besohet se autobusi është përplasur e më pas është përfshirë nga flakët, e pikërisht kjo është bërë shkaku i ngjarjes tragjike. Mes viktimave janë edhe 12 fëmijë.

“Denoncimi për një aksident të rëndë trafiku është bërë pak pas orës 2 të mëngjesit të sotëm. Sipas të dhënave fillestare nga autostrada e Strumës, rreth 31 km është aksidentuar një autobus i regjistruar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën 45 persona. Në vendngjarje kanë shkuar me kohë ekipet e policisë, zjarrfikëses dhe ambulanca. Si rezultat i veprimeve të tyre të shpejta, shtatë persona janë transportuar në spital për mjekim. Po kryhet një inspektim. Qarkullimi është ndërprerë në të dy drejtimet. Një organizim i përkohshëm për lëvizje përmes p.v. Dolna Dikanya dhe p.v. Daskalovo”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, zëvendëskryeministri Bujar Osmani dhe ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tashmë po udhëtojnë për në Bullgari, konfirmoi agjencia shtetërore maqedonase e lajmeve MIA.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb