Një përplasje e pazakontë fizike dhe verbale ka përfshirë presidentin e Polonisë, Karol Nawrocki, dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në kulmin e krizës për kontrollin e institucionit.

Pamjet e publikuara tregojnë Nawrockin duke tentuar të kalojë mes gjyqtarëve, ndërsa shtyn gjyqtaren Anna Korwin-Piotrowska. Në video, presidenti dëgjohet t’i kërkojë asaj t’i hapë rrugën, përpara se të futet në ambientet e institucionit.

Në një tjetër regjistrim, pasi hyn në ndërtesë, Nawrocki dëgjohet duke iu drejtuar gjyqtarëve me fjalët: “Ju nuk jeni gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”.

Kriza shpërtheu të premten, kur gjyqtarët e rinj të zgjedhur nga parlamenti hynë në Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtarja Korwin-Piotrowska njoftoi pezullimin e kryetarit të institucionit, Bogdan Święczkowski, duke marrë përkohësisht drejtimin e tij.

Presidenti Nawrocki, i mbështetur nga opozita e djathtë, kishte refuzuar më herët të betonte pesë nga tetë gjyqtarët e rinj të zgjedhur këtë vit nga parlamenti, duke thelluar përplasjen institucionale.

Pas largimit nga ndërtesa, presidenti e cilësoi situatën si një “marrje me forcë të një institucioni kushtetues” dhe paralajmëroi konsultime urgjente me liderët politikë për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërkohë, ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese vijon të jetë e rrethuar nga forcat speciale të policisë dhe protestuesit kundër qeverisë, ndërsa përplasjet politike mes presidentit Nawrocki dhe kabinetit të kryeministrit Donald Tusk po thellohen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb