Një përplasje e re mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shpërthyer për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe energjisë. Të dyja palët kanë dhënë versione të ndryshme mbi situatën në këtë zonë strategjike.

Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, ka hedhur poshtë pretendimet e Gardës Revolucionare iraniane se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur dhe ndodhet nën kontrollin e Teheranit, duke i cilësuar këto deklarata si të rreme.

Sipas CENTCOM, transporti i ngarkesave tregtare dhe furnizimeve energjetike vijon normalisht nëpër këtë korridor. Komanda amerikane theksoi se rreth 20 milionë fuçi naftë të papërpunuar po transportohen aktualisht përmes rajonit.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë e kontrollojnë qartë ngushticën”, thuhet në deklaratën amerikane.

Teherani këmbëngul se ka kontrollin

Deklaratat e Washingtonit erdhën pas qëndrimit të Mohammadreza Naghdi, këshilltar i komandantit të Gardës Revolucionare, i cili përsëriti se Irani beson se ka kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit.

Naghdi paralajmëroi gjithashtu se rrugët që Teherani i konsideron “të paligjshme” do të mbyllen së shpejti. Ai nuk dha detaje të mëtejshme se cilat rrugë do të preken apo kur mund të ndërmerret një veprim i tillë.

Përplasja e re e deklaratave vjen në një periudhë tensioni të lartë mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe e përballjes mes dy vendeve.

Kalimi detar ka një rëndësi të veçantë për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes tij transportohen sasi të mëdha të naftës së papërpunuar. Çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë zonë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb