ITALI- Trajneri i skuadrës së Juventus, Masimilano Allegri, ka folur për gjestin e turpshëm të brazilianit, Dauglas Costa, i cili pështyu në fund të takimit kundërshtarin, De Francesco.

Ky episod ndodhi në ndeshjen  e djeshme, ku Juventus fitoi ndaj Sassuolës në shifrat 2-1. Sipas tij, ky gjest është i papranueshëm dhe meriton të dënohet sipas parashikimit të rregullores.

Ai shprehet se braziliani është lojtar i qetë, por nuk e dinte se çfarë kishte në kokë në ato momente teksa kreu veprimin e turpshëm.

“Nuk arrij ende ta kuptoj se çfarë ndodhi, por ju siguroj që nuk dua të shoh më të tilla gjëra. Ndoshta në fillim kishte një faull ndaj Kostës, por pështyma e tij është e papranueshme dhe meriton të paguajë, ndonëse me atë karton të kuq ka dënuar në vazhdimësi të gjitha skuadrën. Ai është një lojtar i qetë, por nuk e di se çfarë i kaloi në kokë. Do të ketë edhe një dënim nga klubi për lojtarin, pasi ne jemi Juventusi dhe të tilla gjëra duam t’i evitojmë. Në çdo stërvitje theksoj se nuk duhet të biem në provokime. Kundër Sasuolos ishte një ndeshje në dishezë për ne, mund të shënonim edhe golin e tretë, por ndërkohë që të gjithë donim të driblonim këdo që na dilte përpara dhe të tilla gjëra as që dua t’i shoh më. Sepse pikërisht për këto arsye, rivalët mund të bëjnë ndonjë ndërhyrje të rrezikshme dhe pastaj përfundojmë në episodin e Kostës”-tha ai.

Pas ndeshjes së djeshme dhe dygolëshit të shënuar, Cristiano Ronaldo foli për mediat, ku theksoi se ishte në gjendje ankthi në tre takimet e para. Allegri komentoi edhe deklaratën e Ronaldos, i cili theksoi faktin se portugezi s’duhet të kishte ndjesi të tilla, sepse ndeshjet e para ishin perfekte.

“Nuk duhej ta kishte fare, sepse në tri ndeshjet e para ka bërë shumë mirë, luajti për skuadrën, ndërtoi shumë raste për gol dhe kjo është e rëndësishme. Goli i parë ishte i lehtë, por i dyti ishte i mrekullueshëm. Ishte i uritur dhe mund të shënonte edhe më shumë, por tani mund të përqendrohemi te Valencia në Champions”, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb