Policia e Kosovës njofton se më 13 tetor, ka pezulluar përkohësisht dy zyrtarë policorë, nën dyshimin se janë përfshirë në aktivitete dhe komente politike gjatë fushatës zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, veprim ky që paraqet shkelje të rëndë disiplinore.

Sipas njoftimit të Policisë, njëri nga të pezulluarit përkohësisht, ka qenë në detyrë në kuadër të departamentit të hetimeve dhe tjetri me detyrë në kuadër të departamentit të kufirit.

Pezullimi i tyre është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Policia e Kosovës, thuhet në një komunikatë për media, do të vazhdojë angazhimet e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të Policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb