TIRANE– Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi i ka dhënë përgjigje deklaratave ironizuese të kryeministrit Rama gjatë seancës së sotme parlamentare. Shkak për debatin e madh të krijuar në Kuvend, janë bërë investimet turke. Kreu i Qeverisë ironizoi kreun e LZHK-së për ato që i quajti prirje europiane, ndërsa shkaktoi të qeshurat e ish-kryeministrit Sali Berisha.
“E dini fort mirë se sa të jetë kjo parti ju s’keni asnjë shans që ky vend të mbetet pa drejtësi. Për sa kohë e sunduat dhe torolitët duke e kthyer shtetin shqiptar në një zhele pa vlerë. Jeni gati të fshiheni pas një identiteti tjetër që të mos ju kapin. Dëgjova njërin nga ju që doli në një kazan dhe tha s’duam ne investime turke, ai kur gdhihet ha pilaf e pi raki e fillon drekën me plënc e në aksham groshë fshin buzët me peshqir dhe thotë ne jemi pro europianë. Pilaf, groshë dhe frikë nga ajo që po ju vjen s’keni faj”, tha kryeministri me ironi.
Në një prononcim për “BalkanWeb”, deputeti Shehi tha se reagimi i Ramës ka ardhur pas denoncimeve që ai i bëri aferave dhe kontratave të tij korruprive me turqit.
“Janë deklaratat e një të marri, i zënë ngushtë nga denoncimet e mia për aferat dhe kontratat korruptive që ka bërë me turqit, del në Parlament dhe flet nën efektin e medikamenteve. Shqiptarët e dinë dhe më njohin mirë”, u shpreh Shehi.
Sakaq, kreu i LZHK ka sqaruar qëndrimin e tij mbi deklaratat e bëra në Kuvend, duke theksuar se fjala e tij nuk ishte për bizneset e ndershme turke, por për “marrëveshjet dhe aferat e fshehta të kryeministrit”
“Unë jam i mendimit që shqiptarët të orientohen nga Parisi e Brukseli dhe jo nga Ankaraja. S’kam asgjë me bizneset e ndershme turke, por e kam me marrëveshjet dhe aferat e fshehta të kryeministrit”, tha Shehi.
(el.sp/BalkanWeb)
