TIRANË- Pas kërkesës që i bëri kryeprokurorit Adriatik Llalla për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit, deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, i ka dërguar shkresë për dijeni edhe Kuvendit. Ai kërkon të lejohet të marrë pjesë në aktivitetet politike, pasi mbrojtësit e tij këmbëngulin se nuk e pengon asgjë, pasi ndaj tij nuk ka një vendim fajësie, si dhe nuk ka vendim gjykate që e pengon të ushtrojë funksionin publik.

Madje, Frroku nuk ka hezituar të vërë në dijeni edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për kërkesën e tij, pasi nëse do të lejohet të shkojë në Kuvend dhe në komisionet parlamentare, është pikërisht ky institucion që duhet të bëjë të mundur shoqërimin e tij nga paraburgimi 302 drejt institucionit të Kuvendit.

Prokuroria e Përgjithshme e pyetur lidhur me kërkesën e bërë nga deputeti kristiandemokrat, Mark Frroku, tha zyrtarisht se çdo kërkese i jepet përgjigje brenda afatit ligjor. Mark Frroku ndodhet në arrest me burg për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim, kryer në 1999 në Belgjikë në dëm të Aleksandër Kurtit. Krahas kësaj, deputeti Mark Frroku dyshohet se në bashkëpunim me deputetin Tom Doshi dhe Durim Bamin sajuan një komplot për vrasje deputetësh, me qëllim fillimin e paligjshëm të ndjekjes penale ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Për dy deputetët Gjykata e Lartë, caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për Durim Bamin, arrest me burg.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: