Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qenë i pari nga fronti qeveritar që ka komentuar protestën e opozitës, zhvilluar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë.

I pyetur në lidhje me konstatimin e analistit Baton Haxhiu, i cili tha se “Protesta e PD kishte një pjesëmarrje që as vetë Rama nuk e kishte pritur”, Balla tha se nuk e merr seriozisht, pasi duhet t’i dëgjosh të kundërtën që ta besosh se është e vërtetë.

Ai madje shkoi edhe më tej, duke thënë se PS nuk ka ndryshuar qasje ndaj Sali Berishës dhe u betua se sa të jetë në krye të Grupit socialist nuk ka për të kaluar në Kuvend asnjë kërkesë që ka firmën e kreut të PD.

“Kush analist e ka komentuar. Unë Batonin nuk e marr kurrë seriozisht, dhe gjithmonë besoj se Batonit merri të kundërtën e asaj që thotë dhe ajo është e vërteta. Në koment të fjalës suaj që lidhet me non-gratën Sali Berisha, sot e kemi pranuar kërkesën e 15 deputetëve të PD-së, se nuk ishte firma e Sali Berishës brenda dhe të jeni të sigurt që kjo qase do të qëndrojë gjithmonë. Ka një standard dhe non-grata është Sali Berisha dhe shkresë me firmën e tij sa të jem unë këtu kreu i Grupit të PS, nuk votohet dhe nuk merr mbështetje në Kuvendin e Shqipërisë. Unë nuk hyj në komente të organizmit të protestave, sepse t’u them të drejtën jam vetë një organizator i mirë i eventeve të mëdha politike dhe më duken të organizuara keq.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb