Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg autorin e plagosjes së kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj.

Gjykata ka dhënë sot masat e sigurisë për Ilirjan Hasanaj dhe kushëririn e tij Verzan Bajrakurtaj, bashkëpunëtor në ngjarje duke pranuar kërkesën e prokurorisë, ndonëse avokatët kërkuan masë sigurie më të lehtë arsyetuar me vetëdorëzimin e tyre në polici.

Ngjarja ndodhi më 11 tetor, teksa nga atentati mbetën të plagosur Xhelal dhe Mentor Hasanaj, ky i fundit Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe.

Ilirjan Hasanaj u vetëdorëzua më 15 tetor dhe pas tij edhe bashkëpunëtori Bajrakurtaj. Ai deklaroi se arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie. “Është një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë në atë moment duke qenë edhe i alkoolizuar e kam ndjekur dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur.
Duke qenë drejtor më erdhi në mendje se mund të na pengonte te pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment. Ndërsa kushëriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bërë unë, por thjesht e kam thirrur duke i thënë që të më merrte, sepse kisha nevojë, por pa i treguar arsyen. Ai nuk ka qenë aspak në dijeni të plagosjes. Unë jam penduar maksimalisht për çfarë kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorezuar në polici”, deklaroi i riu.

19-vjeçari akuzohet për plagosjen e Mentor dhe Xhelal Hasanaj, ndërkohë që në makinë bashkë me ta udhëtonte dhe gruaja e policit, Vjollca Hasanaj, e cila fatmirësisht nuk u prek nga plumbat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb