Pas 10 vjetësh, trajneri spanjolll, Pep Guardiola tashmë ka mbyllur kapitullin më të rëndësishëm të karrierës së tij, duke i thënë lamtumirën Mançester Sitit, klub ku fitoi 20 trofe.

 

Por çfarë rezervon e ardhmja për trajnerin spanjoll? Ja çfarë ka rrëfyer ai: “Nuk kam ndonjë plan konkret për të ardhmen time. Për momentin do të ndalem për të pushuar dhe shkoj për të rikuperuar kohën që kam humbur me fëmijët e mi”, tha Guardiola. Më tej, trajneri spanjoll vijoi: “Fëmijët janë rritur dhe ka shumë gjëra që nuk i kam bërë dhe dua t’i bëj. Kështu që nuk mendoj për asnjë sekondë për asgjë që lidhet me futbollin për vitet e ardhshme. Duhet të pushoj, duhet të reflektoj. Pas kësaj, do të shohim se çfarë ndodh. Nuk kam një plan, është thjesht dëshira që të pushoj dhe të bëj shumë gjëra që nuk i kam bërë në të kaluarën, dua të bëj… marrëzira”, tha ndër të tjera Pep.

Pep ka mbyllur me emocione të mëdha aventurën e tij 10-vjeçare te Siti, tekniku katalanas pranoi se ndihet “shumë i lodhur”. “Mund të them pa frikë se kam dhënë gjithçka. Kujtimet që kam nga Barcelona dhe Bajern Mynih janë të jashtëzakonshme, por kujtimet që marr nga këto 10 vite këtu janë më shumë se kudo tjetër”, tha ai.

Spanjolli theksoi se për të, pikërisht raportet njerëzore kanë qenë më të rëndësishme se trofetë. Gjatë periudhës së tij me “Citizens” duhet veçuar fakti që Pep fitoi plot 20 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premier Ligës angleze, një “UEFA Champions League”, tre “FA Cup” dhe pesë Kupa të Ligës. Tani Guardiola pritet të marrë një pushim të gjatë nga futbolli, pas një periudhe të jashtëzakonshme, por edhe shumë të lodhshme në krye të skuadrës nga “Etihad”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: