Akuzat e deputetit Tom Doshi drejt krerëve të mazhorancës, kryesisht ndaj kryeparlamentarit Ilir Meta për organizimin e një atentati ndaj tij, janë komentuar edhe nga mediat ruse. Gazeta kombëtare, qeveritare në Rusi “Rossijskaja Gazeta”, ka publikuar në shkrimin e së premtes pjesë nga akuzat dhe replikat mes politikanëve shqiptar.

Gazeta ruse e nis shkrimin e saj duke thënë se “Deputeti më i pasur i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Tom Doshi, tha se kryetari i Parlamentit Ilir Meta ka pajtuar vrasësit për të eliminuar atë”.

Gazeta vijon më tej në shkrimin e saj duke thënë se “politikani gjithashtu tha se është drejtuar me deklaratën e tij tek autoritetet e zbatimit të ligjit dhe pret hetimin më të paanshëm, pavarësisht nga pozicionet e mbajtura”. Artikulli vijon duke thënë se kjo situatë nuk ka kaluar pa u vënë re nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Gazeta citon deklaratat e Berishës, duke thënë se “ish-­presidenti dhe kryeministri i shtetit, Sali Berisha kërkoi që Ilir Meta të largohet nga posti i kryetarit të Kuvendit, duke u bë deputet i zakonshëm për mos të ndikuar në hetimet në vazhdim”.

Duke vijuar me pasqyrimin e disa prej akuzave dhe replikave që janë bërë në sallën e Parlamentit shqiptar, por edhe jashtë tij, gazeta ruse ngre pikëpyetjen se përse ambasada e SHBA­-së në Tiranë mbështeti shkarkimin e deputetit Tom Doshi nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

“Vlen të përmendet se një vendim i tillë është miratuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Për ta kjo do të thotë? Në fund të fundit, vrasjet politike të profilit të lartë në mbarë botën janë duke u përhapur gjithnjë e më shumë”,­ mbyllet artikulli i gazetës ruse.

Pas vendimit të PS-së një javë më parë për përjashtimin e deputetit Tom Doshi, ambasada e SHBA-ve reagoi pozitivisht, duke përshëndetur këtë vendim. Ambasada e SHBA u shpreh se nxit të gjitha partitë politike për të larguar individët e përfshirë në veprimtari kriminale e korruptive. Pro vendimit të PS-së reagoi edhe ambasada e BE-së.

Sipas të dhënave të publikuara në internet, “Rossiyskaya Gazeta” rusisht: газета Российская, është një gazetë Kombëtare në Rusi. Gjithashtu thuhet se është gazeta zyrtare e Qeverisë ruse ku përveç lajmeve rreth ngjarjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, publikohen edhe tekstet e plota të ligjeve të miratuara nga parlamenti.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: