Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme atentatin e dështuar ndaj Inez Hajrulla, i konsideruar si një nga krerët e një grupi kriminal në Vlorë.

Pjesë nga dokumentari:

Po kështu u vërtetua edhe thënia e Amarildo Nikollit, që Leonard Luzi e donte të vdekur Ervis Matodashaj, apo njohur ndryshe si ‘Qorri’, pasi ky i fundit del se është i përfshirë në plagosjen e vëllait të tyre, 10 vite më parë dhe se ishte mirë që vrasjen e tij ta bënte pa e mbuluar fytyrën, pasi ai ruhej edhe më shumë se vetë ‘Sakati’, në këtë rast Inez Hajrulla. “Po kështu rezulton se më datë 22 Mars 2013, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin Erigert Zejno, i datëlindjes 1989, lindur në Vlorë, i cili mbeti i plagosur rëndë në mjetin e tij tip ‘Focus’. Në lidhje me këtë ngjarje në atë kohë u bë arrestimi i tri shtetasve të shpallur në kërkim, midis tyre edhe Ervis Matodashaj. Më pas çështja rezulton se është pushuar. Çka përputhet me deklarimin e dhënë nga Amarildo Nikolli se vrasja e Matodashaj do të bëhej, për hakmarrje, pasi Erigert Zejno rezulton se ka qenë i plagosur dhe njëri nga autorët është Ervis Matodashaj. Leonardi e kishte porositur Amarildon që vrasjen e ‘Qorrit’ ta bënte pa mbuluar fytyrën, kjo për arsye se ai fshihej më shumë dhe ishte i pakapshëm. Dhe atë të ‘Sakatit’ i maskuar me kapele. pasi ky i fundit lëvizte më shumë”, thuhet në dosje.

Po kështu u vërtetua edhe njohja në burgun e Pratos në Itali, midis Amarildo Nikollit dhe Leonard Luzit, që figuronin se kishin ndarë të njëjtin korridor burgu. Ndërsa Nardi, i kërkonte nëpërmjet mesazheve Amarildo Nikollit, të mbulonte tatuazhet që i dukeshin në duar dhe krah. “Më datë 1 tetor 2023, Zyra e Interforza në Itali kthen përgjigje se Amarildo Xhanej dhe Leonard Luzi, kanë qenë në të njëjtin institucion vuajte dënimi, atë të Pratos, në periudhën kohore 2015-2018. Po kështu Amarildo thotë se është këshilluar nga Leonardi që të veshë këmishë me mëngë të gjata, pasi ai kishte tatuazhe në nënkrah, parakrah dhe në pjesën e sipërme të pëllëmbës së dorës. Fakt ky që përputhet edhe nga këqyrja e pjesëve të jashtme të Amarildo Nikollit”, thuhet në dosje.

Por nga zbardhja e bisedave të kryera në numrin gjerman të telefonit që Amarildo mbante dhe komunikimeve që ai kishte me Leonardin, ky i fundit është i interesuar për të kryer edhe një vrasje në Lezhë. Por këtë vrasje ai donte ta bënte pasi të mbyllte punë me ‘Sakatin’ dhe ‘Qorrin’ në Vlorë. Gjë që nuk e bë e mundur, kësisoj edhe vrasja në Lezhë, mbeti vetëm në tentativë. “Pasi Amarildo Nikolli të kryente vrasjen e ‘Qorrit’ dhe ‘Sakatit’, atë duhet ta merrnin me motorr ose makinë ‘Fshatari’. Një person që Nikolli tregoi se ai i kishte thënë që kishte bërë edhe një ngjarje tjetër, ku kishte plagosur një person. Ku në komunikimet në aplikacionin ‘Signal’, ‘Daku’ apo ‘Daku 1,2,3’, i identifikuar si Leonard Luzi (Zejno), i shkruan Amarildos se në muajin Tetor kishte marrë porosi për të kryer një vrasje në qytetin e Lezhës. Ku ai do të merrte pjesë vetë, dhe ku shuma edhe këtë herë do të ishte 200-250 000 euro. Dhe porosinë e kishte bërë sërish personi nga Dubai që kishte konflikte me drogën me ‘viktimën’ e tij.

Por pa shkuar te Lezha, qëllimi ishte fillimisht të mbaronin punën me ‘Qorrin’ dhe ‘Sakatin’ në Vlorë. Por jo vetëm kaq, por të shpartallonin të gjithë grupin e tyre.

Dhe për këtë Leonardi i jep një sihariq Amarildos, ku edhe i tregon planin dhe se çfarë do të ndodhë në muajin shtator, pasi të kenë larë duart me Inez Hajrullan dhe Ervis Matodashajn.  “Në një nga mesazhet Nardi i shkruan Amarildos ‘në fund të shtatorit do bëjmë atë të madhen’. Amarildo thotë se kjo bisedë ka të bëjë ngjarjen që do të ndodhte në Vlorë, pra pasi të realizohej vrasja e ‘Qorrit” dhe ‘Sakatit’ do të gjenin në lokal grupin që kishte mbetur dhe do t’i vrisnin të gjithë. Ku më datë 7 Gusht 2023, ‘Daku’ i shkruan Amarildos për ‘Sakatin’ ‘Në p… të robve të shkoj’”, dëshmon ai. 

Edhe pse u kërkuan të merren në pyetje lidhur me motivet përse ishin në kërkim për t’u eliminuar, Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, rezulton se fill pas planit për t’u vrarë, janë larguar nga Shqipëria, gjë që u vërtetua edhe nga sistemi ‘TIMS’. Njëri është larguar nga porti detar i Sarandës dhe tjetri nga pika kufitare e Hanit të Hotit, në veri të vendit. Por ndërsa Amarildo Nikolli nuk mundi ta identifikojë dot personin me nofkën ‘Fshatari’, këtë gjë e bëri policia. Ky person rezultoi të jetë Muharrem Koroveshi, Alias Muharem Ismaili apo Muharem Myftaraj, banues edhe ky në Vlorë, i cili u arrestua me urdhër të SPAK, në muajin shtator të vitit 2024, në kuadër të operacionit policor ‘Trekëndëshi’.

Njohja e Amarildo Nikollit me Erion Zejnon, i njohur me nofkën Bjondi u vërtetua edhe nga pamjet filmike të një lokali, ku ata kishin qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit në Vlorë.

“Nga pamjet filmike të dokumentuara më datë 7 Gusht 2023, në një lokal në Lungo Mare, rezulton se nga këqyrja del se në këtë datë në këtë lokal shfaqet shtetasi Amarildo Nikolli, i cili shkon në një tavolinë ku ndodhen dy persona të tjerë. Më datë 7 Gusht 2023, nga kamerat në lagjen ‘Uji i ftohtë’, konstatohet një automjet tip ‘Toyota Yaris’ që futet në parkingun nëntokësor. Nga ku dalin dy personat qe shfaqen me shtetasin Amarildo Nikolli. Nga ku del se pronar i këtij mjeti është Erjon Zejno, i njohur si ‘Bjondi’. Po nga hetimet rezulton se financuesi i vrasjeve në Vlorë, që banon në Dubai dhe ka banesë në Shëngjin/Lezhë nuk është bërë i mundur të identifikohet”, thuhet në dosje.

Dëshmitë e Amarildo Nikollit, u konfirmuan edhe nga thëniet e bashkëshortes së tij, e cila pohoi se “Bjondi” dhe “Fshatari” vinin e takonin shpesh Amarildon dhe mbanin pistoletë me vete. Ndërsa në komunikime Amarildo Nikolli mban emërtimin ‘Djalli’. “Leonard Luzi ‘Daku 123’, porosit Amarildo Nikollin ‘Djallin’ që të blejë këmishë të madhe dhe të lëvizë me motor elektrik. ‘Edhe me at me vedi’, ia kthen ‘Djalli’ duke nënkuptuar pistoletën. ‘Djalli’ thotë se personat janë terrorizuar sepse i kishte parë sot. Më datë 4 Gusht 2023, ‘Djalli’ i shkruan ‘Dakut 123’ ‘a të vishem dhe të shoh atë motër…ndokund’, thuhet në dosje.

Por në bisedat në vazhdim kuptohet që Leonard Luzi ka njohje të mira brenda policisë. Të cilët kërkon ti përdorë për t’u bërë kontroll, personave që ata kanë në plan për të vrarë.

“‘Djalli’shkruan: ‘Duhet të thërrasim ata të zitë (nënkupton policinë) për t’u bërë kontroll dhe duhet një person për të mbajtur çantën. ‘Daku 123’ i shkruan: Të pyes kushon. Në një moment ‘Daku 123’ e pyet ‘Djallin’ se çfarë po bën, dhe ai i thotë ‘me telefona në dorë’. ‘Avash, avash’, – i thotë ‘Daku 123’. ‘Djalli’ e pyet ‘Dakun 123’ ‘a keni ndonjë plan këndej? Ke ndonjë ide se këta janë tremb të gjithë, janë fut atje ku ndodhi me ‘Fshatarin’. Që objekti i atentatit janë dy vetë, kjo duket edhe në komunikimin e datës 5 gusht 2023, ku ‘Djalli’ e pyet ‘Dakun 123’. Kë? Apo atë tjetrin? ‘Daku 123’ i përgjigjet, një duhet se s’bën, shpejt aty e keni? ‘Do e bëj, – i përgjigjet ‘Djalli’.

 Por në këto bideda në mënyrë të pashpjeguar del edhe emri i një personazhi të rëndësishëm të krimit në qytetin e Shkodrës.

“Midis këtyre personave duket se ka pasur një dërgim foto nga ‘Djalli’ tek ‘Daku 123’ ku ky i fundit i thotë ‘Ky ishte ai që thoshte në Shkodër’. Dhe më pas është mesazhi ‘Dorian’. Dyshohet se ky emër është ai i personit Dorian Duli. Por nuk kuptohet përse nuk është përmendur ky emër. ‘Daku 123’ dhe ‘Djalli’, flasin për një punë tjetër. Dyshohet në Shëngjin ku edhe po shkoi keq jepen 15, por duhet të marrin lekët fillimisht. ‘Do flasim bashkë për ta kry’, duket se i thotë ‘Djalli’, ‘Dakut 123’. Më datë 7 Gusht 2023, ‘Daku 123’, interesohet se çfarë bëhet andej dhe a ka ndonjë lëvizje. ‘Djalli’ i shkruan se nuk ka lëvizje dhe ngre dyshimet se mos kanë lëvizur. Po ai ‘Sakati’ aty është?, – pyet ‘Daku 123’. ‘Djalli’ i shkruan: ‘Se shoh kun, as e kam pa kun, se po e pamë i q…motra’”, thuhet në dosje.

Por siç tashmë dihet Inez Hajrulla dhe miku i tij Ervis Matodashaj, ia hodhën paq edhe këtë herë. Ndoshta të ndihmuar edhe ata nga ndonjë informator, që i ka mbajtur në kontakt në lidhje me lëvizjet e dyshimta në qytetin e Vlorës, që kishin ardhur për t’i vizituar. Atentat që për ‘Sakatin’ do të ishte i treti në radhë, pas atij ku mbeti i plagosur rëndë në vitin 2017, ku u dëmtua në gjymtyrë dhe atij të vitit 2019, ku u qëllua gjatë kohës që po pinte kafe në një lokalet në Lungomare.

Por a është kjo e vetmja ngjarje kriminale për të cilën Amarildo Nikolli ka zbërthyer? Apo në vazhdim do mësojmë nga goja e tij edhe për ngjarje të tjera të rënda që kanë ndodhur së fundmi në Shqipëri…

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb