Ky është Florenc Duhanxhiu, i riu nga Korça që po sjell një frymë të re në botën e librit shqip përmes platformës Libra24.al. Me profesion inxhinier software dhe me përvojë në ndërtimin e sistemeve digjitale, ai ka krijuar një model të ri që synon të mbështesë autorët shqiptarë dhe t’u japë më shumë transparencë dhe përfitim nga puna e tyre.
Sipas Florencit ideja për Libra24.al lindi nga një bisedë e thjeshtë me një autor, i zhgënjyer nga të ardhurat e ulëta dhe mungesa e informacionit mbi shitjet e librave. Kjo ishte shtysa që e bëri të ndërtojë një platformë ku çdo autor mund të ketë akses në kohë reale mbi shitjet dhe të ardhurat, duke e bërë procesin më të drejtë dhe më të besueshëm.
Në të njëjtën kohë, ai ka menduar edhe për lexuesit shqiptarë kudo ndodhen duke u ofruar mundësinë që të blejnë libra online dhe t’i marrin menjëherë në email, pa pritur transportin fizik. Sipas tij, teknologjia është një mundësi për ta bërë leximin më të thjeshtë dhe më të aksesueshëm për të gjithë.
Përmes kësaj nisme, Florenc Duhanxhiu synon jo vetëm të lehtësojë shpërndarjen e librave shqip, por edhe të rikthejë vlerësimin dhe dinjitetin e autorit shqiptar në tregun e librit.
