Deputeti Lefter Maliqi ka thirrur sot në interpelancë, në seancë plenare, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Nga foltorja e Kuvendit, Maliqi i kërkoi ministrit të flasë për krimin e organizuar në vend dhe për kanabisin, që sipas tij, janë shkak për shumë vrasje të ndodhura së fundi.

Nga ana e tij, ministri Lleshaj tha se gjatë qeverisjes së PS krimi i organizuar ka marrë goditje të fortë, ndërsa vendi sipas tij, është ç’kanabizuar.

Maliqi: Unë sot do të flas më shumë si ekspert i policisë dhe jo si politikan. Iu shpreh ngushëllime atyre që kanë humbur familjarë, për shkak të paaftësisë së policisë në parandalimin e krimit. Cfarë mund të na thoni z. ministër për krimin në Shqipëri? C’mund të na thoni për vrasjen në Malësinë e Madhe për drogë? C’mund të na thoni për drogën në vend? Nesër-pasnesër edhe në tarracat e ministrive mund të gjejmë bimë kanabis.

Lleshaj: Më erdhi mirë që Maliqi u prezantua këtu si ekspert, dhe jo si politikan, dhe shpreh keqardhjen që ky ekspert i ka humbur policisë. Në interpelancë nuk ishin pyetje, por cështje, të cilat më duhen vite për t’i trajtuar. Po e filloj me një fjali të thjeshtë: Shqipëria nuk përjeton sot një situatë të rëndë të krimit, por ka sot situatën më të mirë, pikë! Shqipëria numëron 1.7 vrasje për 100 mijë banorë, ndërkohë që BE në mesataren e tij ka 1.2.

Kush ka sy është i ftuar ta shohë, është fakti që të gjithë treguesit negativë të sigurisë në vend janë në rënie të panjohur më parë. Ruajtja e këtyre tendencave është sfida jonë më e madhe. Siguria ka dhe një dimension tjetër, ajo përkufizohet edhe si mungesa e frikës. Qytetarët janë të sigurt kur nuk ndjejnë frikë. 75% e qytetarëve shqiptarë sot mendojnë se jetojnë të sigurt, edhe kur udhëtojnë natën. Është luftuar fort krimi në të gjitha dimensionet e tij, janë shtuar kapacitetet në luftën kundër krimit, njësitë e specializuar, dhe për rrjedhojë kemi arritur në këto rezultate inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit që po punon për të goditur financat e krimit, po punon me intensitet të lartë. Deri më tani mbi 1 mijë pasuri kriminale, janë referuar në SPAK. Në të gjitha këto raste bëhet fjalë për persona të dënuar më parë për vepra kriminale, që kishin kryer dhe dënimin, dhe e konsideronin të mbyllur cështjen me drejtësinë, ndërkohë që kanë hapur llogari të re për pasurinë.

Shqipëria kreu operacione policore për droga të forta në shkallë të gjerë. Pati rezultate të prekshme. Shqipëria sot nuk ka ndonjë njollë të rrezikshme, as Tirana, ku nuk rekomandohet kalimi. Ndërkohë që të tilla njolla ka në shumë qytete të BE. Me gjithë përpjekjen e disa segmenteve politike për të mbajtur të gjallë një psikozë të krimit të shtuar në vend, realiteti flet për të kundërtën. Tre herë më i lartë është numri i vrasjeve në Letoni, se sa në Shqipëri, sipas Eurostat. Dy herë më i lartë është ky numër në Lituani. Më i lartë se në Shqipëri është ky tregues edhe në vende të tjera në BE, por kronika e zezë atje nuk zë kronikat. Drejtimi i gishtit për cdo gjë nga policia është dashakeqësi. Pranohet që krimi është një fenomen social dhe jo një produkt policor. Përballë krimit kanë përgjegjësi të gjithë, politika, shoqëria, e padyshim edhe policia. Por është e pafalshme që ata, djemtë e të cilëve merren me drogë, të shajnë policinë, kur ua kanë dhënë vetë rrugën e keqe atyre.

“Dy të rinj u ekzekutuan në Malësi të Madhe, për shkak të trafikut të drogës. 25 prilli është dita që Edi Rama të lajë njëherë e mirë borxhin dhe dhimbjen që iu ka shkaktuar shqiptarëve”. Kështu shprehej një zëdhënës i një partie. Ky është një gabim fatal dhe i papranueshëm. Aq më keq tingëllojnë këto në gojën e atyre që janë përgjegjës për shifrat tronditëse të krimit në kohën e qeverisjes së tyre. Ata duhet të heshtin, pasi ata që janë djegur njëherë, nuk mund të jenë më alternativë.

Ju vini kujën për kanabizimin e vendit, por në të vërtetë vendi është ç’kanabizuar. pas këtyre treguesve qëndron një punë e suksesshme e policisë, në bashkëpunim me të huajt. KE e sheh këtë që nuk iu keni arritur ta shihni akoma, ose nuk doni ta shihni. Për vitin 2020 janë bërë përpjekje për të goditur një numër të madh personash me vepra penale. 195 zyrtarë janë proceduar këtë vit, nga zero të proceduar në kohën tuaj të artë, kur kanabisi ishte patentë shtetërore. Unë deklaroj me përgjegjësi të lartë se angazhimi i Policisë së Shtetit është në garanci e fortë se lufta kundër krimit do të njohë një përshkallëzim dhe sukses të mëtejshëm dhe se siguria do vijojë tendencën e përmirësimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb