Një studente pjesëmarrëse në protestën para Kryeministrisë ka reaguar ashpër ndaj dhunës së pretenduar policore ndaj protestuesve, duke ngritur shqetësimin veçanërisht për trajtimin e të miturve.
Ajo u shpreh se reagimi i saj dhe i studentëve të tjerë vjen pas tetë ditësh protestash, gjatë të cilave, sipas saj, janë përballur me dhunë. Studentja kritikoi efektivët që, siç tha, kanë përdorur forcën ndaj të miturve, duke theksuar se uniforma e policisë duhet të shërbejë për mbrojtjen e qytetarëve. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje për sigurinë e protestuesve dhe besimin te institucionet, duke paralajmëruar se pushteti nuk mund të mbahet përmes dhunës.
“Më në fund, shyqyr që u bë. M’u duk e vonuar. Kemi tetë ditë që dhunohemi. Dhunohet fëmija 13 vjeç. Je një polic, ke skafandër, gaz lotsjellës, dhe shkon e dhunon një të mitur. Para se të jesh polic, përpara ke një fëmijë. Ti je i madh. Jo të bëhesh ti kriminel! Kë të thërrasim ne në këto momente, pasi ne kemi humbur shpresën te policët? Kë duhet të thërrasim ne kur kemi nevojë? Jemi të pambrojtur. Në ç’mënyrë do ta mbash pushtetin? Po merr gjak. Nuk mund të mbahet një karrige me gjak. Në një sistem demokratik, jo e jo.
Është më keq se në ’97-ën të shkosh të kapësh djalin e ri, të duket i dyshimtë dhe shkon e kap të riun, ia plas kokën në trotuar. Kjo është mizori. Ju burra që rrini në kafe, se s’ka më burra Shqipëria! Si mund të rrish ti në kafe, kur rinia dhunohet? Kjo është barrë e rëndë!”, tha studentja.
