Një aksident tragjik në një autostradë pranë Sleaford, në Angli, i mori jetën një foshnjeje 20-muajshe dhe la të plagosur nënën dhe vëllain e tij të madh. Shkak i përplasjes rezultoi shpërqendrimi i shoferit, i cili në momentin e aksidentit po shihte video në TikTok ndërsa ishte në timon.

Ngjarja ndodhi më 19 mars 2025, ndërsa drejtuesi i mjetit, Kristo Iliev, 32 vjeç, me origjinë bullgare, është dënuar me 11 vite e 3 muaj burg pasi pranoi akuzat për shkaktim të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm dhe shkaktim të plagosjeve të rënda nga drejtimi i rrezikshëm. Sipas hetimeve të paraqitura në gjykatë, automjeti i drejtuar nga Iliev u përplas me makinën e familjes Baker, e cila më pas u përplas edhe me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.

Viktima e aksidentit ishte Finlay Baker, vetëm 20 muajsh, i cili pësoi plagë të rënda dhe ndërroi jetë dy ditë pas përplasjes. Nëna e tij, Chloe Baker, pësoi dëmtime të rënda në shpatull dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje të madhe kirurgjikale rindërtuese. Edhe vëllai 8-vjeçar i Finlay u dërgua në spital me plagë të rënda.

Gjatë hetimit, policia sekuestroi dy telefona celularë që ndodheshin në automjetin e Ilievit. Analiza e pajisjeve zbuloi se në shtatë minutat para përplasjes, të dy telefonat ishin përdorur.

Hetuesit zbuluan se një prej telefonave ishte përdorur për të hyrë në TikTok dhe Apple TV, ndërsa një video në TikTok rezultoi se ishte duke u luajtur në momentet pak para aksidentit fatal. Përveç dënimit me burg, gjykata i ka ndaluar Ilievit drejtimin e automjeteve për 10 vite e 6 muaj. Ai do të duhet të kalojë teste të posaçme drejtimi përpara se të mund të marrë sërish leje për të drejtuar automjet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: