Policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim një 25-vjeçar, i cili po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm.

I riu nga Tepelena, me precedent të mëparshëm penal, ishte duke transportuar kundrejt fitimit 16 klandestinë. Policia i ka bërë me shenjë të riut që të ndalonte makinën, në vendin e quajtur “Ura e Lumit” në Gjirokastër, por ai nuk i është përgjigjur urdhrit.

Sapo ka kaluar disa metra, ka braktisur mjetin dhe është larguar. Ndërkohë bëhet e ditur se uniformat blu po punojnë për kapjen e tij.

Njoftimi i Policisë:
DVP Gjirokastër

Vijon operacioni policor “ROAD GUARD”.

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Transportonte 16 emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 25-vjeçari.

Sekuestrohet automjeti.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër, në vijim operacionit policor “ROAD GUARD” për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, bënë shpalljen në kërkim të shtetasit S. S., 25 vjeç banues në Tepelenë (me precedent të mëparshëm penal).

Shpallja në kërkim e tij u bë pasi, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë shenjë ndalimi shtetasit S. S., i cili po drejtonte automjetin tip furgon, por ai nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar mjetin, të cilin e ka braktisur në vendin e quajtur “Virua”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi S. S. po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip furgon.

Materialet në ngarkim të shtetasit të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb