Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen që tronditi opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, ku 44-vjeçarja Sarah Myers dhe nëna e saj, 64-vjeçarja Amy Stedman, dyshohet se vranë katër fëmijët e familjes dhe më pas i dhanë fund jetës së tyre.
Babai i fëmijëve, Brady Harmon, ka publikuar mesazhin e fundit që mori nga ish-bashkëshortja vetëm pak orë para se të ndodhte tragjedia. “Fëmijët kanë një problem të vogël me stomakun dhe po vjellin. A mund ta shtyjmë bisedën online për nesër në orën 16:00?”, i shkroi Sarah Myers pasditen e 10 qershorit.
Brady iu përgjigj: “Në rregull, do të vazhdoj të pikturoj atëherë. Shpresoj të ndihen më mirë së shpejti”, pa e ditur se familja kishte hyrë në orët e fundit të jetës. Të nesërmen ai tentoi sërish ta kontaktonte ish-bashkëshorten.
“A ndihen fëmijët më mirë?”, shkroi ai, ndërsa video-telefonata e planifikuar nuk mori kurrë përgjigje. Sipas policisë, në atë moment Sarah Myers, nëna e saj Amy Stedman dhe katër fëmijët – Harper (13 vjeç), Hudson (11 vjeç) dhe binjakët 10-vjeçarë Gavin e Gracelyn Harmon – kishin humbur jetën brenda apartamentit të tyre në Mechanicville, në shtetin e Nju Jorkut.
Hetimet: Plani kishte nisur disa ditë më herët
Shefi i Policisë, Bill Rabbit, bëri të ditur se hetimet tregojnë se planifikimi i ngjarjes kishte nisur më 5 qershor.
Sipas autoriteteve, Sarah Myers dhe Amy Stedman, të cilat jetonin në të njëjtën ndërtesë, por në apartamente të ndryshme, shkëmbyen një sërë mesazhesh ku koordinonin veprimet e tyre. Në të njëjtën kohë, Sarah vazhdonte komunikimin normal me ish-bashkëshortin për pushimet verore të fëmijëve, të cilët planifikohej të kalonin dy muaj me të atin në Utah duke nisur nga 1 korriku.
Madje, ajo i kërkoi Brady-t të depozitonte pagesën e mbështetjes për fëmijët dhe premtoi se do t’i dërgonte dokumentacionin mjekësor të tyre përpara udhëtimit. Më 7 qershor, Brady zhvilloi një video-telefonatë 17-minutëshe me katër fëmijët. “Ata dukeshin të lumtur”, tha ai për mediat amerikane, duke shtuar se ajo ishte hera e fundit që i pa gjallë.
Një ditë më vonë ai i kërkoi ish-bashkëshortes informacion mbi interesat dhe hobet e secilit fëmijë, me synimin për të organizuar një verë sa më të bukur së bashku. “Dua të krijoj kujtime të bukura dhe të bëhemi përsëri një familje”, shkruante ai në një nga mesazhet.
Hetuesit zbuluan se në ditët para tragjedisë dy gratë kishin blerë pilula gjumi dhe medikamente të tjera me recetë. Mesazhet e gjetura në telefonat e tyre tregojnë se ato diskutonin mënyrën se si do t’u jepnin ilaçet fëmijëve. Sipas policisë, një nga mesazhet përmendte se ilaçi nuk kishte dhënë efektin e pritur dhe se njëri prej fëmijëve kishte kuptuar se diçka nuk shkonte.
“Këto komunikime nuk tregojnë vetëm planifikim, por edhe koordinim të veprimeve gjatë kohës kur vrasjet po ndodhnin”, deklaroi shefi i policisë Bill Rabbit.
Policia gjeti gjithashtu shënime të shkruara me dorë, ku dy gratë pretendonin se vepruan për t’i mbrojtur fëmijët nga babai i tyre. Megjithatë, autoritetet deklaruan se nuk kanë gjetur prova që mbështesin pretendimet për abuzim, ndërsa Brady Harmon i ka mohuar kategorikisht akuzat. “Nuk mund ta kuptoj se si dikush mund të pretendojë se kjo u bë për të ‘shpëtuar’ fëmijët e mi. Atyre iu bë dëmi më i madh i mundshëm. Ata u tradhtuan nga njerëzit që duhej t’i mbronin”, shkroi ai në një reagim publik. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie vijojnë.
