Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar pas fjalimit të ministrit të Brendshëm, Taulant Balla në Kuvend.

Ai tha se policia ka mësuar për aksidentin e klandestinëve në Këlcyrë 3 orë pas ngjarjes.

Gjithashtu, Salianji akuzoi Policinë e Shtetit se nuk është në krye të detyrës duke ironizuar se i “arreston” vrasësit dhe të inkriminuarit pasi ata vriten nga grupet rivale.

“Ju folët për vdekjen e emigrantëve se policia ishte në krye të detyrës. Por policia i ka gjetur pas 3 orësh. Dhe çdo ngjarje kriminale që ndodh në këtë vend ne e kuptojmë vetëm pasi vdesin njerëz dhe pasi policia shkon si agjenci funerale apo agjenci lajmesh. Nëse ndodhin shpërthime si në qytetin ku ju jeni i deleguar se policia e ka lënë territorin se është deputeti juaj, apo trafik i paligjshëm, nëse ndodhin vrasje, e kuptojmë se personi ka qenë në kërkim dhe e ka gjetur krimi para jush. Ju zoti Balla duhet të dilni dhe të merrni përgjegjësinë këtu, të jepni garanci para qytetarëve. Ka një deklaratë të rëndë nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani. Ai thotë që në rastet e rimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë sot me SPAK, pasi ka policë të përfshirë, që është përfshirje në nivele të larta. Kemi 10 vite që nuk denoncojmë policët. Ata vendosin në presion dhe policët e thjeshtë, që të bashkëpunojmë me krimin. Ju duhet të dilni të jepni garanci se ku është besimi dhe se ku shkon policia dhe ku krimi, ku fillon dhe ku mbaron”, tha deputeti demokrat, Ervin Salianji.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb