Gjatë protestës së 51-të kundër qeverisë, protestuesi Meçan Zotaj, iu drejtua efektivëve të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, duke u bërë thirrje të mbajnë anën e qytetarëve dhe të kauzës së protestuesve.
Zotaj tha se protesta e zhvilluar para Parlamentit u përball me barriera policore, por pretendoi se nga bisedat me efektivë në terren kishte kuptuar se shumë prej tyre mbështesnin protestuesit.
“Unë i kuptoj djemtë e policisë që zbatojnë detyrën e tyre, por nga bisedat nga afër me policë të tillë, të gjithë ishin me ne. Policia është me ne. Jam i bindur se edhe ushtria, në bazë të betimit që kanë bërë për mbrojtjen e atdheut nga çdo e keqe, është me ne”, deklaroi ai.
Duke iu drejtuar strukturave të sigurisë, Zotaj tha se mbrojtja e vendit nuk lidhet me numrin e protestuesve në shesh, por me atë që ai e cilësoi si “drejtësinë e kauzës”.
“Atdheu nuk mbrohet duke numëruar njerëzit në shesh. Atdheu mbrohet kur kauza është e drejtë”, u shpreh ai, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe keqmenaxhim të pronave publike.
Ish-luftëtari i UÇK-së falënderoi efektivët e policisë për sjelljen gjatë protestës dhe u bëri thirrje që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë qytetarëve.
“Ju jeni bij që garantoni sigurinë tonë. Ne ju vlerësojmë dhe jemi me ju gjithmonë”, tha Zotaj.
Në fund të fjalës së tij, ai paralajmëroi se protestuesit do të reagojnë në rast se, sipas tij, ndaj tyre ushtrohet dhunë.
“Nëse provokohet dhunë ndaj tyre, pa dëshirën tonë, do t’u kthehemi në të njëjtën monedhë”, deklaroi ai.
