VLORË- Policia e Vlorës ka sekuestruar 200 kg marijuanë gjatë një operacioni në fshatin Mallkeq, ku janë gjetur edhe armë e municione.

Policia e Vlorës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, është vënë në ndjekje të 2 trafikantëve, të identifikuar si Çoban Tozaj, 49 vjeç, banues në fshatin Mallkeq dhe Mateos Bregu, 24 vjeç, banues në fshatin Kocul.

Gjatë ndjekjes së autorëve ka bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre në flagrancë në një banesë të braktisur pranë fshatit Mallkeq.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë banesë të pabanuar në pronësi të shtetasit Çoban Tozaj, është gjetur një sasi me lëndë narkotike e llojit “Marijuanë” me peshë totale prej 200 kg (kilogram).
Tozaj dhe Bregu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kishin për qëllim trafikimin e lëndës narkotike drejt shtetit italian.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 200 kg lëndë narkotike “Marijuanë”,
– 2 armë zjarri “Automatik-model 56”,
– 4 krehër të mbushur me fishekë,
– 300 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: