TIRANE- Politika sapo ka nisur sezonin e ri, për të cilën maxhoranca thotë se do ketë surpriza, ndërsa në rubrikën gazmore që sjell çdo të shtunë emisioni “Kjo javë” politikanë e deputetë nuk i kanë shpëtuar fokusit të kameras në momente të sikletshme, gazmore apo edhe në debat e sipër.

Presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Berisha janë takuar përzemërisht, edhe pse asnjëherë nuk e kanë fshehur simpatinë ndaj njëri tjetrit, gjatë promovimit të një libri. Ish kryeministri e ka pyetur kreun e shtetit se si kaloi gjatë udhëtimeve në mal, ndërsa me batutë i thotë se “shpëtove mirë, shumë lart u ngjite”, batuta të cilat shkaktuan të qeshura mes tyre.

Një moment i sikletshëm është shënuar edhe në mbledhjen partive opozitare jo parlamentare, ku dikush i zë kameran Arben Tafajt, teksa ky i fundit, ishte duke njoftuar nisjen e mbledhjes.

Në komisionin e ekonomisë, ministri i financave Arben Ahmetaj teksa ka debatuar me deputetët, u ka kujtuar një shprehje të popullit, ndërsa thotë: ‘Andej nga jugu thonë i ka tharë zorën’. Ndërsa në deklaratën që deputetja demokratë bëri në sheshin para teatrit kombëtar, era ka prishur imazhin e kuruar të saj, edhe pse kjo nuk e ka penguar atë të vijojë konferencën e të japë qëndrimin e PD për cështjen e teatrit.

Një moment i sikletshëm u shënua në parlament, ku lapsusi i ministres së drejtësisë Gjonaj, u bë virale edhe në internet.

Rubrika gazmore mbyllet me kryebashkiakun Veliaj, teksa ngre një dolli në banesën e një prej familjeve ku dërgoi libra falas në prag të vitit shkollor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb