Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci janë dy shqiptarët e arrestuar në Greqi, për ngjarjen e ndodhur në zonën e Vulës më 22 janar të këtij viti, ku gjatë një konflikti për larje hesapesh mes dy grupeve shqiptarësh jashtë një furre buke në rrugën “Ermou”, u plagosen me armë 3 persona, ndërsa 2 të tjerë me sende të forta.

Lajmi për arrestimin e Jambellit dhe Lecit konfirmohet për News24 nga policia shqiptare pas komunikimit me palën greke. Por ndërsa janë vënë në pranga për llogari të palës greke, Jambelli dhe Leci janë të shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pasi dyshohet se janë porositësit e vrasjes së oficerit të policisë, Artan Cuku më 8 prill të 2017-ës, pranë banesës së tij në rrugën e Kosovarëve.

Të dy ata akuzohen se kanë paguar Mikel Shallarin për vrasjen e Cukut, ndërsa ky i fundit është i arrestuar. Ndërkohë, nuk dihet nëse këtë herë policia greke do të pranojë të ekstradojë drejt Shqipërisë të arrestuarit, pasi kujtojmë se Jambelli është arrestuar edhe në vitin 2019 në shtetin helen, por autoritetet atje nuk pranuan ta ekstradojnë drejt vendit tonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb