Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot nga njësia 7 ku zhvilloi një takim me demokratët se Edi Rama po zhbën Shqipërinë.

Berisha tha se portin nuk ua ka marrë shqiptarëve asnjë pushtues, por Rama do të bëhet miliarder me projektin e tij.

Sipas tij, Edi Rama nuk mund të përfaqësojë me veprimet e tij, i nxin çdo ditë imazhin Shqipërisë. Berisha theksoi se për pushtetin e tij dhe pasurinë e tij, nuk njeh moral, nuk njeh ligj, nuk njeh standard.

“Merrni Portin e Durrësit. Gjendet një arab i cili ka pasion investimin tek diktatorët, me Lukashenkon dhe të tjerë e i thotë Edi Ramës do të të bëj të pasur si veten. Hajt ta marrim bashkë këtë portin.
Portin nuk ua ka marrë shqiptarëve asnjë pushtues.

Porti sot është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve. Përpunon 4.8 milionë ton. I shpërndan në zemrën e Shqipërisë, ku janë rreth 2 mln shqiptarë pothuajse. Në distancën më të shkurtër, transportin dhe koston më të ulët për shkak të distancës.
Tani, ne do të blejmë mallra sepse do të bëhet miliarder Edi Rama, që transportohen nga Tivari në Tiranë, nga Selaniku në Korçë, nga Igumenica në Vlorë e Gjirokastër.
Kush do të paguajë koston e këtij transporti. Ne, qytetarët me çmime në dyqan.
Si merr me 1 euro 200 hektarë tokë, u ka vënë çmimin e apartamenteve me 3000 euro metrin katror. Po kështu hotelet dhe molet në Durrës, ndërton Dubain e tij dhe mjerimin e shqiptarëve.
Tani thotë se do të ndërtojë port, por nuk ka ndërmend të ndërtojë port. Ai ka ndërmend të mbyllë portet, si antishqiptar dhe i mbylli, Sarandën e ka mbyllur, Vlorën po, edhe Durrësin tani dhe rroftë Shëngjini, por Shëngjini është me kufizime të mëdha, është një port i vogël.
Pra ky po zhbën Shqipërinë edhe gjeografikisht.
Prandaj dhe ne duhet të ju themi atyre, ky po na vjedh, po na vjedh në këtë mënyrë. Ne jemi këtu, hajdutin e keni në tavolinë.
Edi Rama nuk mund të përfaqësojë me veprimet e tij, i nxin çdo ditë imazhin Shqipërisë. Ai na bëri ne të jemi populli i gomoneve, njerëz të varkave. Pse jemi njerëz të varkave, sepse na vjedhin, vjedh votën, pasuritë, lirinë, shkatërron bizneset. Duhet të jemi aty sepse ai për pushtetin e tij dhe pasurinë e tij, nuk njeh moral, nuk njeh ligj, nuk njeh standard”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb