Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka shprehur rezerva kundër iniciativës së kolegut të tij, Tritan Shehu, i cili hartoi një projektrezolutë për dënimin e genocidit të Srebrenicës.

Përmes një postimi në Twitter, Gjekmarkaj thekson se Shehu i kishte çuar një rezolutë gjatë mbledhjes së Komisionit, ku pohon se ka vërejtur ‘parregullsi’ me hedhjen e firmave nga deputetët, pasi sipas tij i pari në listë ka firmosur i fundit. Gjekmarkaj shkon akoma edhe më tej, duke shtuar se punët e shërbëtorit Tritani di t’i bëjë.

“Tritan Shehu më solli një rezolutë për Srebrenicën në mbledhje Komisioni. Duhet të kem qenë i treti apo i katërti, por Tritani paskësh lënë vende bosh më sipër ku zakonisht lihen më poshtë që të hedhin firma! I pari në listë ka firmosur i fundit. Punë shërbëtorësh që Tritani i bën”, shkruaj Gjekmarkaj.

  • foto galeri

Rezoluta

Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka dorëzuar sot në Kuvend një kërkesë për mocion me debat të finalizuar me rezolutë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe siç thotë ai do të ketë shumë shpejt dhe për gjenocidin në Kosovë. Shehu thotë se megjithëse i vonuar, ky veprim publik i Kuvendit do të kishte rëndësi të veçantë në këto momente të vështira për Europën. Kërkesa është firmosur dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, Grida Duma, Ina Zhupa, Kreshnik Çollaku, Sajmir Koreshi e Edi Paloka.

Ky është dokumenti i parë ku të gjithë deputetët e PD-së bëhen bashkë që pas vendimit të ish kreut të PD-së, Lulzim Basha për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi Parlamentar.

“Për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të Srebrenicës, Bosnje Hercegovinë”

Shumë shpejt edhe për gjenocidin serb në Kosovë.

Dorëzohet në Kryesine e Kuvendit kërkesa për mocion me debat të finalizuar me Rezolutë.

Megjithëse i vonuar, ky veprim publik i Kuvendit do të kishte një rëndësi të veçantë, në këto momente të vështira për Europën, me pasoja destabilizuese në rajonin tonë, që vënë në rrezik paqen, bashkëjetesën, e rrugën tonë të integrimit.

Të kujtosh krimet e së kaluarës, të dënosh ato, të kërkosh falje nga autorët, është një domosdoshmëri për mos përsëritjen e tyre.

11 Korriku kërkohet të shpallet si dita e përkujtimit të atij gjenocidi.

Pikërisht nën këtë optikë, shumë shpejt do të procedohet me një iniciativë tjetër të ngjashme, për të njohur e dënuar publikisht e zyrtarisht edhe gjenocidin serb në Kosovë.”, thuhet në kërkesë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb