PRISHTINE- Disa orë pas arrestimit të deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, Prokuroria në Kosovë ka dhënë detaje mbi motivet. Ndalimi i tij është bërë rreth orës 09:00 nga Policia, pasi urdhër-ndalimit të lëshuar për të nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

Mësohet se Zeka u prangos për shkak të deklaratave të tij në emisionin “DPT te Fidani” për prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, ka thënë për “Express” se “Një prokuror i Prokurorisë Themelore ka lëshuar urdhër ndalesë për deputetin Milaim Zeka, i njëjti është arrestuar sot në mëngjes”.

Zeka tha në emision se “do t’i qërojë hesapet me prokurorin”.

“Ma përpara ia kisha falë nëse ma kish vra njërin prej fëmijëve në afekt sesa kështu me ia shkatërru njerëzve ëndrrat. Mua më kanë poshtëruar. Unë do ta ndjek këtë prokurorin tëm me gjyq, me kanun e edhe privatisht. Nuk ia fali kurrë poshtërimin. Se njerëzit tash thonë për mua: Këqyre ky hajni i vizave”, ka thënë Zeka.

Prokurori Special, Afrim Shefkiu, ka propozuar 907 dëshmitarë kundër Zekës. 900 prej tyre janë viktima të mashtrimit me viza pune në Gjermani të cilëve u janë marrë rreth 345 mijë e 700 euro.

Dje edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dënuar ashpër deklarimet publike dhe kërcënimet, të cilat kohëve të fundit janë drejtuar ndaj prokurorëve të shtetit, në veçanti, dënon deklarimin kërcënues të deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu.

Në një komunikatë për media thuhet se mbrojtja e pavarësisë dhe autoritetit të prokurorit është obligim kushtetues dhe ligjor, andaj aktet e tilla janë të patolerueshme dhe paraqesin ndërhyrje të drejtpërdrejta në misionin e Prokurorit të Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb