TIRANE– Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Arrestimi i 52-vjeçarit Armando Kitai nga Dibra dhe 25-vjeçares Fatina B., nga Gjirokastra të dy banues në Tiranë, u bë në kuadër të operacionit “Shtetësia”.

Sipas policisë, të dy këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mashtruar 25 persona të ndryshëm, të cilëve u kanë marrë në total një shumë prej 40 000 Euro, duke u premtuar se do t’i pajisnin me pasaporta të shtetësisë bullgare.

Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarve iu sekuestruan 2 aparate celularë dhe 112 dokumenta të ndryshme si: Certifikata personale dhe familjare, fotokopje të kartave të identitetit dhe Pasaporta, fotografi për dokumenta, kopje të ekstrakteve të llogarive bankare etj.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të rënda i kryer në bashkëpunim” dhe “Falsifikimi i dokumenteve i kryer në bashkëpunim”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb