TIRANË

Gazetarja e Zërit të Amerikës Keida Kostreci ka folur në një lidhje ‘live’ nga SHBA për emisionin “Real Story” në News24 për votimet presidenciale dhe çfarë pritet.

Kostreci tha se ka një mobilizim të madh të votuesve pavarësisht pandemisë dhe logjistikës. Sipas saj, rezultati do të varet nga shtetet ku diferenca mes dy kandidatëve, presidentit Trump dhe zotit Biden është e vogël.

“Gjithçka pritet, kjo ka të bëjë me faktin e mobilizimit të madh të votuesve amerikanë dhe se si funksionon, në sa pak shteti është çelësi i votimeve. Mbi 100 mln kanë votuar para 3 nëntorit. Numri i atyre që do votojnë sot do përcaktojë shumëçka. Demokratët kishin më shumë prirje të votonin me postë dhe republikanët më shumë prirje të votonin sot.
Është për t’u admiruar fakti se me kaq shumë pengesa që pati për shkak të pandemisë, logjistikës, numri i votuesve është i madh. Rezultati varet nga disa shtet ku diferenca mes dy kandidatëve është mjaft e vogël. Një shqetësim është se nuk do merret vesh rezultati sot. Çdo gjë mund të ndryshojë dhe mund ta ndryshojë kalkulimin”, tha ajo.

Sa i përket votimit me postë në disa shtete si Pensilvania apo Teksasi dhe ndërhyrjes nga Shtëpia e Bardhë për ta penguar si në Wisconsin, gazetarja e Zërit të Amerikës e cilësoi të pranueshme.

“Mund të them që është e pranueshme që presidenti Trump po bën gjithçka që ta vendosë veten në avantazh. Edhe gjatë ditëve të fundit të fushatës ka bërë të gjitha përpjekjet që ta maksimalizojë mundësinë për të pasur fitore dhe në këto shtete. Jo vetëm që ka dërguar avokatët por dhe ka thënë që do vazhdojë të sfidojë këto rezultate. Nuk është çështja vetëm se kush do dalë i pari në këto shtete por dhe sa do jetë diferenca mes tyre. Trump ka thënë se nëse diferenca është e vogël do ta sfidojë këtë rezultat”, tha Kostreci.

Në lidhje me masat e marra për protesta të mundshme, gazetarja e njohur u shpreh se autoritetet e sigurisë në SHBA kanë tërhequr vëmendjen për përmbajtjen dhe se masat në qytetet kryesore janë marrë për të mbuluar të gjitha frontet jo se pritet.

“Në disa organizata, rreth 6 kanë kërkuar leje për protesta por nuk ka shenja se mund të kalojnë në dhunë por ama kjo nuk i pengon autoritetet të marrin masa”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb