Nga Jeton Selimi

Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, në një intervistë telefonike për emisionin “Zona Gol” në “Supersport”, nuk i kurseu kritikat për nivelin e arbitrimit në Kategorinë Superiore. Megjithatë, ai u shpreh se nuk ka asnjë parapëlqim për gjyqtarin e ndeshjes ndaj Skënderbeut. “Në të gjitha aspektet, si me ekipet për titull, edhe me ekipet për mbijetesë, arbitrimi lë shumë për të dëshiruar.

Unë nuk mund të them që janë të korruptuar, sepse duhet të kem fakte për diçka të tillë, por sjelljet e disa arbitrave lënë shumë për të dëshiruar dhe dyshuar. Për gjyqtarin e ndeshjes ndaj Skënderbeut nuk kam asnjë parapëlqim. Le të vendosë federata kë të dojë, siç i vendos gjithnjë, nuk ndërhyj ndonjëherë për të vënë arbitra. Të vendosë një që është me këmbë në tokë. Të gjithë i kuptojmë gabimet njerëzore, por ato të qëllimshme unë nuk i kuptoj dot. Ka shumë arbitra, ndaj le të zgjedhë një që të jetë korrekt dhe me mend në kokë, të mos tallet me paratë tona”. Më pas flet për Partizanin e tij, teksa nuk fsheh se do të ketë goditje në merkato. “Në përgjithësi jam i kënaqur. Javën tjetër mbaron gjysma e kampionatit. Është për t’u luajtur edhe gjysma tjetër. Nuk ka ndonjë çudi të madhe. Ne të tre që kryesojmë dhe ndoshta Tirana do jemi në luftë deri në fund.

Besoj se do jetë një kampionat i bukur. Në janar do të shohim dhe përforcimet. Kemi disa përforcime të mira, por ato i zgjedh stafi teknik, unë mund të them vetëm buxhetin. Po përgatisim nga viti në vit një Partizan që të shkojë gjithnjë e më mirë. Këta të tjerët kanë më shumë eksperiencë se unë, por them që Partizani do të jetë si vjet, që ishte deri në ditën e fundit në garën për titull, dhe siç e mbani mend ekipin që doli kampion ne e mundëm në ndeshjen direkte”. KALENDARI Superliga mbyll aktin e dytë të saj të enjten, ndërsa me javën e 18-të përfundon dhe pjesa e parë e sezonit, me ekipet që do të rikthehen në fushën e blertë në janarin e vitit të ardhshëm.

Sektori i Garave kishte planifikuar ditën dhe orarin për javën e fundit, por kjo e fundit ka pësuar ndryshime, ndërsa në orën 17:00 do të luhet vetëm kryendeshja e javës së 18-të, ajo ku kampionët e Skënderbeut do të presin Partizanin, ndërsa Vllaznia dhe Tirana, në program për t’u luajtur gjithashtu në orën 17:00, është zhvendosur në orën 14:00, duke iu bashkuar tri sfidave të tjera, Laçi-Teuta, Luftëtari-Kukësi dhe Korabi-Flamurtari. Sa i takon përballjes mes Korabit dhe Flamurtarit, ende është e paqartë se ku do të zhvillohet kjo ndeshje, teksa dibranët kanë mbetur pa stadium pas largimit nga “Selman Stërmasi” dhe pas prishjes së njëanshme të kontratës nga ana e Kukësit për përdorimin e “Zeqir Ymerit”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: