Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u takua me Abdirahman Muhammed Abdullahi, Presidentin e Rajonit të Somalilandit, i cili ka zhvilluar një vizitë në Izrael.
Sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes Izraelite, Katz tha gjatë takimit:
“Ne kemi bashkëpunuar në një sërë operacionesh që janë mbajtur sekret nga publiku për shumë vite. Tani jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin tonë në siguri në nivele më të larta për të mirën e të dy popujve dhe për stabilitetin rajonal.”
Ministria deklaroi se fokusi i takimit ishin “mënyrat për të thelluar bashkëpunimin në siguri, ekonomi dhe politikë”.
Të hënën, Ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, njoftoi hapjen e të ashtuquajturës ambasadë të Somalilandit në Jeruzalem. Liga Arabe, Egjipti dhe Jordania dënuan hapjen e ambasadës në Jerusalem nga Somalilandi, duke deklaruar se ky veprim “përforcon pushtimin izraelit, shkel ligjin ndërkombëtar dhe minon përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete”.
Somalilandi, i cili shpalli në mënyrë të njëanshme ndarjen e tij nga Somalia në vitin 1991, nuk njihet si shtet i pavarur nga bashkësia ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Somalia e konsideron Somalilandin si një pjesë integrale të vendit dhe thekson se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me rajonin janë vetëm nën autoritetin e qeverisë së Mogadishut.
