PODGORICE

Në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, Presidenti Ilir Meta u prit sot me nderime të larta shtetërore nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Presidenti malazez përsëriti qëndrimin e tij kundër idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa bëri thirrje për një zgjidhje që do të kontribuonte në stabilitetin e Ballkanit, raportojnë mediat malazeze.

Pas interpretimit të himneve kombëtare dhe ceremonisë shtetërore të pritjes, të dy delegacionet zhvilluan bisedime zyrtare. Në përfundim të bisedimeve, Presidenti Meta dhe Presidenti Gjukanoviç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Meta u shpreh se Shqipëria dhe Mali i Zi i kanë të gjitha motivet, arsyet, por edhe themelet mbi të cilat do të forcohet edhe më tej bashkëpunimi në të gjitha drejtimet. Dialogu, ka theksuar Meta, është i rëndësishëm për tërë rajonin dhe për proceset e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Meta tha se ky është një vit i rëndësishëm për rajonin tonë edhe në drejtim të pritshmërive për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

“Dhe me këtë rast dua të theksoj rëndësinë që ky dialog me rezultatet e tij finale të forcojë dhe konsolidojë bashkëjetesën, jo vetëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe në Serbi, por bashkëjetesën në të gjithë rajonin tonë e sidomos të forcojë proceset integruese në të gjithë Ballkanin. Perëndimor si e vetmja rrugë që ky rajon të ecë më me shpejtësi në rrugën e prosperitetit për të gjithë qytetarët tanë”- ka thënë ndër të tjera Meta në takimin me homologun malazez.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: