TIRANË

Pasi siguruan titullin kampion në minifutboll, 6×6, ky ishte titulli i tretë në katër vitet e fundit, Prestige MFC synon trofeun e radhës, Sunday League Albania. Në këtë finale, Prestige MFC vjen me stofin e favoritit dhe kampionit në fuqi.

Egoja e një ekipi model kërkon dominimin total në minifutboll në vend për të vijuar më pas në kompeticionet ndërkombëtare. Arkitekti i këtij ekipi, Fatmir Hysenbelliu, zbuloi në Sport News ambiciet e tij në krye të Prestige MFC, ndërsa trajneri Andi Koçi dhe kapiteni Renato Antoni u ndalën tek finalja e kësaj të hëne.

Pyetje: Sunday Leagua Albania zhvillon sot finalen e madhe të edicionit të dytë, ku përballë njëra-tjetrës janë dy skuadrat e Prestive dhe Roamel. Cili është sekreti që e keni kthyer në dominim mini-futbollin?
Fatmir Hysenbelliu: Mentaliteti fitues, ai është sekreti, si dhe stërvitja. Këto janë, mentaliteti dhe stërvitja.

Pyetje: Objektiv shumë i rëndësishëm është Champions. Ju në fakt keni bërë histori jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në Champions keni kaluar një herë fazën e grupeve, tjetra në gjysmëfinale, këtë herë cili është objektivi?
Fatmir Hysenbelliu: Është gjithmonë për ta fituar Champions, edhe pse vitin e parë kemi pasur kontingjent më të vogël, vitin e dytë pak më shumë dhe këtë vit kontingjenti është më i madh dhe normalisht rriten mundësitë për ta fituar. Këtë vit marr pjesë dhe në një kampion tjetër, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Dhe aty jemi në çerekfinale tani, edhe aty synojmë ta fitojmë këtë trofe. Pastaj është edhe Kombëtarja, në tetor-nëntor, është Evropiani. Vitin e parë që morëm pjesë në Evropian, po them morëm pjesë sepse shumica e lojtarëve 70-80% janë të ekipit tonë në kombëtare, mund të thuash Prestige, më shumë se kombëtare. Kishim paraqitje pozitive, por këtë vit synojmë të shkojmë më lart në Kombëtare, pse jo të arrijmë te tre vendet e para, apo të synojmë ta fitojmë.

Pyetje: Cili është objektivi i radhës i klubit?
Andi Koçi: Objektivi i radhës është finalja e Sunday League. Shpresojmë dhe kemi besim se do të dalim me sukses në atë ndeshje. Me ndihmën e Zotit do ia arrijmë.

Pyetje: Ndalemi pak te kundërshtari, e keni studiuar, keni një kundërshtar të fortë përballë?
Andi Koçi: Realisht është një kundërshtar shumë i mirë. I njohim shumë lojtarë të tyre, kanë luajtur në Super League. I dimë pikat e forta të tyre, dhe pikat e dobëta. Shpresojmë se do të bëjmë një ndeshje të mrekullueshme dhe me sukses.

Pyetje: Ndalemi pak te dy turne të rëndësishme, nga katër edicione të kampionatit të mini-futbollit keni fituar 3, në Sunday League janë dy të zhvilluara, keni një fitore dhe është dhe finalja. Gjithë këto suksese…
Renato Antoni: Kur ti fiton shumë, do vijnë të të mundin me të gjitha mënyrat. Kishte shumë problematika. Unë them që pasqyrë e atij kampionati ishte një bluzë, si kjo që kemi ne sot, që mbishkruante këtu “The real champions”, pra kampionët e vërtetë, dhe të atij kampionati ishim ne kampionët e vërtetë. Finalja është finale, ne kemi luajtur disa, dimë t’i luajmë, por finalet nuk luhen, ato fitohen, ne dimë t’i fitojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb