Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë kanë prezantuar manualin për mbrojtjen nga përhapja e mëtejme e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, teksa ka prezantuar manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusin, tha se të gjitha rekomandimet e këtij manuali duhet të respektohen.

“Ky manual do të shërbejë si dokument mbështetës për organet mbikëqyrëse, inspektorateve të autorizuara nga Ministria e Shëndetësisë për të mbikëqyrur. Kërkojmë zbatim të masave, rekomandimet të respektohen, sepse vetëm kështu mund të kthehemi në normalitet”, tha ministri Zemaj.

Kurse drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se që prej se janë lehtësuar masat kundër koronavirusit, qytetarët nuk i kanë respektuar rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.

“Qytetarët nuk e kanë dhënë provimin, nuk i janë përmbajtur rekomandimeve. Do të kemi rritje të numrit të infektimeve. Nuk do të lejojmë që të vdesin njerëzit për shkak të moskujdesit të tjerëve”, tha Ramadani.

Zemaj dhe Ramadani porositën rastet me COVID-19 do të vazhdojë të rriten në ditët në vazhdim, nëse nuk respektohen masat kundër koronavirusit.

Që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars, deri më tani janë regjistruar 1,486 raste. Prej tyre janë shëruar 953 persona, ndërkaq 32 pacientë kanë vdekur./rel

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb