TIRANË– Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, prezantoi sot pasdite Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, theksoi gjatë prezantimit se ky është një projekt- plan për t’u paraqitur të gjithë së bashku në tregun e ri të punës, në kuadër të së cilit janë firmosur dy marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Kosovës dhe atë të Serbisë.

Më tej, ministri Klosi prezantoi 6 pikat e planit në mënyrë të detajuar, ku një rëndësi shumë të veçantë, ashtu siç e ka shprehur edhe më parë, e zë nxitja e sa më shumë të rinjve të zgjedhin të studiojnë së më shumë në shkollat profesionale.

“Ky është një plan i bashkërenduar edhe me të rinjtë e shtresave në nevojë, të cilët presin një ndihmë nga ana e qeverisë. Ky plan vjen i mirëadministruar me të gjitha problemet. Është një plan i bazuar mbi një projekt konkret buxhetor, të cilat mbulojnë 70 % të këtij plani. Plani është një kërkesë e kohës për të krijuar ura lidhëse midis shoqatave rinore anë e mbanë vendit. Është një plan për t’u paraqitur të gjithë sëbashku në tregun e ri të punës”, tha Klosi.

Në kuadër të këtij plani, theksoi Klosi, “unë kam firmosur dy marrëveshje të rëndësishme me ministrin e Serbisë dhe të Kosovës, në mënyrë që të kemi projekte të përbashkëta që rinia e të gjithë rajonit të ecë përpara”. Projekti, nënvizoi Klosi, është ndërtuar në 6 kolona, si një punë e përbashkët midis disa strukturave të shtetit shqiptar.

1. Nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset e vendimmarrjes. Kjo kërkon përveç vullnetit të tyre edhe mbështetje të institucioneve dhe ne po e mundësojmë këtë. Në garën e fundit të pushtetit vendor kemi një numër shumë të madh të rinjsh pavarësisht ngjyrimeve politike të cilës ata i përkasin.

2. Nxitja e punësimit të të rinjve nëpërmjet politikave efektive që kërkon tregu i punës. Diplomat duhet të gjejnë evoluimin e tyre, ndaj duhet të gjejmë mundësi që të futen në tregun e ri të punës.

3. Shëndeti, sporti dhe mjedisi. Nuk duhet të presim që rinia të vuaj nga sëmundje që vijnë nga mosaktivizimi në sport. 44 ambiente sportive janë krijuar në qarqet e vendit.

4. Edukimi i të rinjve. Ka të bëjë me arsimimin profesional. Do ta transferojë këtë arsim sepse Shqipëria ka nevojë për djem dhe vajza të kualifikuar për të qenë të gatshëm për tregun e punës. Shkollat profesionale do të kthehen shumë shpejt në shkolla shumë më të kërkuara.

5. Mbrojtja sociale. Ka të bëjë drejtpërdrejtë me ata të rinj, të cilët kanë nevojë për dorën e shtetit. Do të bëjmë të mundur edhe aktivizimin e tyre

6. Kultura dhe vullnetarizmi. Për të qënë një shoqëri më shumë e edukuar dhe e lexuar dhe që ecën përpara ky do të jetë qëllimi dhe sfida jonë.

“Ky është një plan i miratuar, qe i përket një gjenerate të re, sepse është një plan i organizuar për një brez të ri. Do jetë një shembull i mirë për të ardhmen e këtij vendi, për të qenë ata aktorë kryesorë e për të stërvitur në vijim më të vegjlit”, tha Klosi.

PELESHI: QËLLIMI YNË ËSHTË TË NXISIM PUNËSIMIN E TË RINJVE
Ndërsa zv/kryeministri Niko Peleshi theksoi gjatë fjalës së tij se qeveritë e mëparshme kanë dështuar në nxitjen e punësimit, ndërsa qëllimi ynë është të nxisim punësimin e të rinjve.

“Kemi dhjetëra apo mijëra vende pune nga sipërmarrës që nuk gjejnë dot të rinj për të punësuar, pasi ka munguar arsimi profesional. Ne po përpiqemi t’i japim prestigjin e merituar dhe do t’i japim interesin e shtuar arsimit profesional tek të rinjtë shqiptar. Që në vitin e parë është rritur interesi tek shkollat profesionale dhe kjo na bën optimistë për të ecur përpara në këtë drejtim”, tha Peleshi.
Gjithashtu, zv/kryeministri nënvizoi se, “Shqipërisë i kanë munguar edhe Start Up-et, ose iniciativat e sipërmarrjes së të rinjve. Me ndihmën e GIZ po sjellim eksperiencën gjermane, ku të rinjtë do të kenë mundësi të punësohen. Do të hapim një qendër të re në Tiranë “Beta House’, ku të rinjtë do të kenë mundësi punësimi”.

“Rrjeti i zyrave të punës ishte një nda nismat e para që do të vazhdojë duke shtuar numrin e zyrave të punës”, tha Peleshi. Duke folur për terrenet sportive, Peleshi theksoi se, “Kemi financuar terrene sportive të standardeve shumë të larta dhe do të vazhdojmë të shtojmë numrin e terreneve sportive. Nuk po marr këtu investimet e qeverisë që janë më shumë se 20 vite së bashku në sportin profesionist”.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin të rinj përfaqësues të rrjeteve dhe organizata rinore, përfaqësues të ministrive dhe institucioneve qeveritare, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe donatorë.
(vijon)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: