Mamicës vetëm një pretekst i kishte munguar për të shfaqur lirizmin e saj atë ndërthurje kraharorë rrëqethjesh e tingujsh. Ditëlindja e Klosit ndonëse e thirrur në fshehtësi se mos Lideri në perspektive Gazi dhe Kryezëvendës Lideri Muli pasuar nga kalores të tjerë mund t’ja behnin aty si besimtarë të patundur të lirisë dhe t’ja merrnin tepsitë me qofte e kusitë me pilaf për të ushqyer luftëtarët e revolucionit, duke lënë me gisht në gojë Etjenin e Dilon prapëseprapë vetëm pas shumë orësh e kapu pikun e vet.

Mbyllen dyert me shula, vunë ca arka nga pas dhe qepenat e saraçineskat ulen. Kur të gjithë të sigurt se askush nuk do trokiste në derë dhe asnjë hije nuk do shfaqej në dritare, ashtu të përdëllyera nga gëzim i festës dhe nga gërryerja që shkaktonte muzika xhaz, Mamica dhe Mimi di Puçini brofen drejt një divani i cili në gjysmë errësirë ngjante me një tempull të ahengut të epërm. Kur të gjithë i hidhnin gjyrykut verë, e cila si përrua vërshonte aty lugjeve pa pengesa në mes të sallës si thagem e epërme u dëgjua zëri i Mamicës, ashtu intens, një me xhanin, i thellë me rrënjët te kujtesa e një kohe pa mbarim, me shikimin drejt një përhumbjeje që tejkalon ëndrrat.

Çuçit i pikoi mideja llaftar dhe një ‘au iu au iu’ lëshoi në ajër si rakete patriot qe fluturon drejt kënaqësisë për të shkatërruar çdo brengë e maraz teksa Mamica ende më e shtronte zënë e qashtër në temjan. Ulsiu sapo erdhi lypi diçka me lugë. Tasqebap i sollën. Shtrembëroi turinjtë por se lëshoi veten, mendoi që koprrac i madh ky Klosi që bën ziafet, për të mbledhë dhurata e ja na qet gjepura për të ngrënë. Pat uri dhe e mbaroi të gjithën ashtu buzëvarur, por nuk kaloi shumë dhe dëgjoi si të prera në stomak. I ndenjur kishte qenë ai helm dhe iku i pari. Shalsi me shikimin përqendruar tek një tufe me kallamboqa, varur në tra përvajshëm nanuriste një melodi “O Mari Maria faqe gurabia, o Marjane Marjana faqet me nishana”!

Kur të gjithë po gëzonin me dalldi, Çyrbja si bombë në mes të sallës tha “me shkruajnë se Luan Baçi me krifen e tij si Akili dhe Mond Spaho me një qyski në dorë janë parë këtej rrotull”! Filloi vaji e piskama. U fikën drita, vetëm sytë e Ogit bënin dritë si qiri shprese. Klosit i dridhej mjekra, “sot ditën e përvjetorit tim e gjetën këta lugetër që mos bëfshin hajër?!”. Antoneta Dhimua i lëmonte kokën me dorë dhe e tërhiqte, që të fshihej në një dollap enësh. Niko me një radio marrëse përpiqej të lidhej me ushtrinë po nuk kishte valë. Tao mbahej dhe aty për aty krijoi një shtab vetëmbrojtjeje. “Mos bini në panik këshilloi, policia ka makina të reja që jua rrëmbyem miseve do mbërrijnë shpejt por mbajeni mend kur PD të ketë Krishtlindjen e vet ose Lulelindjen dhe portreti i tij engjullor te shfaqet mbi tavan, bash atëherë Vullnet Sina, Xhemal Qefalia dhe Nasipi të mbështjellë me gjelle do afron ngadalë sikur janë peme dekorative dhe do hedhin tymuese pastaj do hymë ne trimat dhe do i perdafim”. Vetëm kur Çyrbja tha bëra shaka Etildes ju thanë lotët e ngrohte. Erdhi ora për të hapur peshqeshet! Natyrisht vëmendjen më të madhe e mori ajo e Babos i cili i kishte mbështjellë një pistolete lodër me gogla. Nuk dinin ç’të thonin, si ta interpretonin. Braçja i dha zgjidhje. Babua e di që lufta do bëhet më e ashpër dhe të duhet ca kohe të stervitesh me ketë dhe në pranvere si partizani Velo do e kesh të vërtetë se kështu ka bërë dhe me mua. Damua nxori me solemnitet një bust të Babos në allçi. Bëji dua tri herë në ditë këtij ky të bën ky të zhbën. Tezja më origjinale “Kurbanin” te shkruar me filigramë la në dorë. Bela një grusht me dhe nga kantieret e reja. Po kjo mendoi i ziu do me mbulojë me të? E falënderoi po mbeti i keqkuptuar. Tao i la një zarf. Ishte një fotografi e Ditmarit.

Laerti një lotore të plasaritur bosh. Bujari i Lushnjës një kurth metalik për dhelpra. Ismet Beqiri një parfum bërë me djersen e mallakastriotëve. Gjeneral Kollçaku një helmete. Kur Petro Koçi me solemnitet i la poezitë e veta aty Klosi su mbajt më dhe ju kthye “po çi deshe pse u harxhove, kjo është tepër”. Petrua e qetësoi, “i kam shkruar për Babon, partinë dhe kundër ballisteve, të edukojnë ideologjikisht”. Fatmiri një qeleshe dhe një shall të kuq. Klosi i madhëngjyer mbajti një fjalim siç di ai të cilin e mbylli me fjalët “siç ta duan të mirën shokët e partisë nuk ta do as hasmi”!

Me mirë unë edhe pse ende në fazën e gabimeve si shoku ynë Tili në 36 vjetorin e atij qerrata Salianj pimë vere të mirë dhe lëvduam gjithë boten. Më pas një cope herë medituam mbi melankolinë e Jorushit të Tabakëve atë mjegull që boten e bën me të mistershme dhe fatin e Opozitës ku e ku më shumë. Pastaj Salianji tha boll medituam eja ikim. Grida me kishte thirrur në emision dhe duhej të bëhesha esëll se perënditë nuk të falin!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb