Ish-kryeministri Sali Berisha, lajmëroi ditë më parë zhvillimin e primarëve, për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen më 6 mars.

Primaret e lëvizjes së foltores, u zhvilluan sot në disa bashki të vendit. Por, edhe pse pretendon se këto janë primaret e para të zhvilluara në Shqipëri dhe në PD, duket se e vërteta qëndron ndryshe. Në vitin 2000, ka qenë vetë Sali Berisha, asokohe kryetar i PD, që ka zhvilluar primare për zgjedhjet lokale të atij vitit. Gara më e fortë në atë kohë u zhvillua në Tiranë, ku kandidatë ishin figura të njohur të kohës, propozuar nga anëtarësia e PD. Spikasin emrat e Bamir Topit, Besnik Mustafajit dhe Spartak Ngjelës.

Edhe pse mbështetja e aksioneve të demokratëve në kryeqytet ishte masive për Topin, pas votimeve të zhvilluara në konventën e PD së kryeqytetit në pallatin e sportit “Farie Hoti”, fitues u shpall Besnik Mustafaj. Këto zgjedhje do të mbahen mend dhe për debatin e parë dhe të vetëm të zhvilluar mes dy kandidatëve për kryetar bashkie, atë mes Edi Ramës dhe Besnik Mustafajit.

Ndërkohë që si debati dhe primaret mbeten histori e përsëritur. Vetëm në javët e fundit, ish-kryeministri Berisha u kujtua për primaret, ndërkohë që nga viti 2000 e deri në vitin 2013, në të cilin ai drejtoi zyrtarisht PD, nuk pati më kurrë të tilla. Ja çfarë deklaronte Berisha në momentet e zhvillimit të primareve, në usht të vitit 2000:

“Ne së bashku dhe të gjithë kandidatët e Tiranës ndihen krenarë sepse Konventa jonë është ajo e vlerave. Për ne demokratët vlerësuesit e lirisë është vota e lirë. Ne ndihemi krenar dhe kjo ditë është një ditë e madhe për çdo demokrat shqiptar, është ditë e madhe për çdo qytetar shqiptar, është ditë e madhe për votën e lirë. Ne jemi krenar sot në këtë Konventë sepse i paraqesim Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, zemrës së kombit, si kandidat për qytetar të parë të kryeqytetit Besnik Mustafajn”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: