BRITANI E MADHE

Princi Harry ka konfirmuar se do të marrë pjesë në kurorëzimin e mbretit Charles III pas disa javësh spekulimesh. Megjithatë bashkëshortja e tij, Meghan Markle nuk do t’i bashkohet.

“Pallati Buckingham është i kënaqur të konfirmojë se Duka i Sussex-it do të marrë pjesë në shërbimin e kurorëzimit në Westminster Abbey më 6 maj”, tha një zëdhënës i pallatit për ‘Page Six’.

Dukesha e Sussex do të qëndrojë në Kaliforni me Princin Archie dhe Princeshën Lilibet.

Ky do të jetë ribashkimi i parë i Harry-t me anëtarët e familjes mbretërore që nga publikimi në janar i autobiografisë të tij të bujshme, “Spare”.

Në librin e tij Harry mes të tjerave tha se Charles kishte qenë një prind i largët me të dhe zbuloi një përplasje fizike me William, si dhe deklaroi se ishin William dhe Kate ata që e bindën atë të vishte kostumin e famëkeq të partisë naziste.

Harry u largua nga jeta mbretërore me Markle për një jetë të re në Kaliforni në mars 2020.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb