TIRANE- Debati që shpërtheu në media për prishjen e kullës së antikomunistit Prek Cali në Vermosh u rikthye sërish sot në tavolinën e diskutimit. Ishte deputeti socialisit i Qarkut Shkodër, Paulin Stërkaj i cili tregoi versionin e tij të ngjarjes në mbledhjen e hapur të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në fjalën e tij edhe pse nuk e përmendi me emër, Sterkaj ka thumbuar hapur Tom Doshin, që sipas tij po e përdor rastin për interesa të veta.

“Ca individë të veshur me pushtet dhe ish-pushtetarë vendorë kanë vendosur të rikonstruktojnë kullën, pra e kanë prishur ata. Ndërhyrja është bërë duke prishur muret e nisura nga ata, kur u njoftuam nga nipi i Prek Calit. Ka dalë një deputet dhe ka thënë do ta bëj shtëpinë 3 katëshe, është 15 breza larg me Prek Calin, e ka të afërt siç e kam edhe unë. Ka shkuar rruga në Vermosh e c’të bëjnë tani thonë e kam gjysh me i marr tokën me e përdor për qëllime të veta, për biznes. Thonë do e bëjnë tre katëshe. Ne thjesht e kemi marrë në mbrojtje, kemi qëllim trojet e Prek Calit nga pushteti vendor”, – tha Sterkaj.

Deputeti i Partisë Social Demokrate në Shkodër, Tom Doshi ishte ndër politikanët e parë që reagoi për prishjen e kullës së Prek Calit. Në një prononcim për mediat ai tha se do të kontribuonte që brenda vitit të rindërtohej kulla dhe që tashmë sipas tij, do të jetë 3-katëshe.

“Unë kam ardhur në Vermosh për dy arsye e para sepse është mburrur e gjithë Malasia me emrin e Prek Calit jemi mburrë edhe ne si fis edhe unë si kushëri i tij .Ata që mendojnë se Prek Cali s’ka lënë njeri mbrapa e kanë gabim, njëri nga ata jam unë,Unë do ta mbroj. Më vjen keq për këta burrra që i pashë me lot në sy, kjo ishte nja pabesi e dy personave që i keni votuar si deputeti edhe kryetari i bashkisë, Turp por kjo na bashkon të gjithë ata që jetojnë këtu dhe ata që jetojnë në diaspor. Ju kërkoj fale atyre që kontribuan për ndërtimin e kësaj shtëpie, por i garantoj se kjo shtëpi do të rindërtohet, unë do të kontribuoj për projektin shtëpia do të bëhet me tre kate,jo me dy sic ishte planifikuar do të bëhet edhe busti i Prek Cali, me shpresë do të gjejmë edhe eshtrat do të bëjmë varrin e Prek Calit. Këtë vit do të rindërtohet shtëpia e Prek Calit është krenaria e Malësisë së Madhe,e Shqipërisë, është hero kombëtar e kanë njohur 7 shtete nuk mund tia heqin emrin një polic dhe një kamerier që keni zgjedhur”, – u shprehe Tom Doshi.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: