Ambasadorja e Kinës, znj.Pang Chunxue dhe Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi vizituan dje mjediset e kompanisë Bankers Petroleum Albania, biznesit më të rëndësishëm kinez në Shqipëri dhe gjithashtu në rajonin e Fierit.

Bankers prodhon aktualisht mbi 85% të totalit të naftës në vend dhe punëson mbi 1500 persona duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë vendase.

Kreu i Bashkisë theksoi se falë ecurisë pozitive të Bankers në vend, qarku i Fierit planifikon të tërheqë investitorë të tjerë kinezë në fushën e shëndetësisë, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.

Ambasadorja znj.Chunxue tha se Bankers është projekti më i madh kinez në Shqipëri dhe mbetet një rast suksesi.

“Për mua është mbresëlënëse të shikoj çfarë kompania po bën në zhvillimin e këtij aseti përmes investimeve në teknologjitë më të fundit për prodhimin e naftës. Bankers ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e Shqipërisë dhe unë jam besimplotë që kompania do të ketë një të ardhme shumë të mirë duke rritur edhe më shumë impaktin pozitiv në vend”, tha ajo.

Nga ana tjetër Ceo i kompanisë, Huanqin Xiao evidentoi se vitit 2024 do të jetë padyshim një periudhe transformuese për Bankers.

“Ne sapo kemi nisur aplikimin e teknologjisë e re për prodhimin e naftës përmes injektimit të avullit duke mos u bazuar më vetëm tek nxjerrja e naftës nga metoda e zakonshme konvencionale. Rezultatet janë optimiste ku po prodhojmë 25 ton/ dite në javët e para”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb