TIRANË

“Me planin tonë, ne do ta shërojmë Shqipërinë. Do të krijojmë kushtet që jo vetëm të ringrihemi nga shtrati i lëngimit, por të ndërtojmë një sistem model për të gjithë rajonin”.

Kështu deklaroi sot kryedemokrati Lulzim Basha gjatë prezantimit të programit për shëndetësinë. Basha theksoi angazhimin dhe garantoi shqiptarët se do të bëjmë një ndryshim në shëndetësi, që do të sjellë një jetë më të shëndetshme dhe me cilësore për të gjithë, pa përjashtim.

“Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian”, theksoi kreu i PD.

PREZANTIMI I PROGRAMIT PËR SHËNDETËSINË NGA KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Javën e kaluar ju prezantova planin tonë ekonomik, të detajuar dhe gjithëpërfshirës, i cili do ta rimëkëmbë Shqipërinë dhe do ta ktheje atë në rrugën e suksesit dhe të zhvillimit.

Së pari, kam një falënderim sot për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që më keni dhënë mua dhe ekipit tim pas shpalosjes së këtij programi.
Kam marrë kaq shumë reagime pozitive dhe mesazhe nga ju në këto ditë.

“Më në fund një plan ekonomik serioz, se na kanë ardhur në majë të hundës premtimet boshe!” – ishte mesazhi që mora nga një prind i ri nga Elbasani ne facebook-un tim.

Dhe pikërisht ky është qëllimi ynë.
Të bëjmë ndryshimin.
Ky është misioni ynë: te rimëkëmbim vendin dhe të ringjallim shpresën.
T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe t’i japim fund dështimeve 8-vjeçare të Ramës.
Dhe që të ecim përpara, e keqja duhet të largohet.

Që të përparojë ekonomia.
Që të përmirësohet dhe zhvillohet shëndetësia.
Ndaj jemi mbledhur bashkë sot këtu për të folur për diçka shumë të rëndësishme, shëndetin tonë.
Por për të pasur një shëndetësi më të mirë, duhet më së pari të shërojmë vendin tonë.
Sepse kur rënkon i gjithë vendi, të gjithë jemi sëmurë.

Kur vendi ynë lëngon, nuk mund të ringrihet dot shpejt nga goditja si ajo e tërmetit.
Kur vendi është i mbërthyer nga kriza, nuk është në gjendje të shpërndajë ndihmë ekonomike për qytetarët të vet në kohën e pandemisë globale.

Kur vendi ynë rënkon, nuk ju ofron dot qytetareve spitale dhe kujdesin shëndetësor siç duhet për ta.
Ndaj në fillim duhet të shërojmë vendin, për t’u bërë edhe vetë mirë.
Për këtë arsye, këto muaj, kam pasur nderin dhe privilegjin të punojë me ekspertët më të mirë për një plan shëndetësie që do ta ndryshojë Shqipërinë.

Dhe për Planin tonë të shëndetësisë, ne ju qëndrojmë të njëjtave parime si me planin e ekonomisë:
Një plan serioz dhe të zbatueshëm.
sepse vërtet të gjithëve na kanë ardhur në majë të hundës me premtimet boshe.
Me këtë plan, ne do ta shërojmë Shqipërinë. Do të krijojmë kushtet qe jo vetëm të ringrihemi nga shtrati i lëngimit, por të ndërtojmë një sistem model për të gjithë rajonin.
Sot, ne angazhohemi dhe u garantojmë gjithë shqiptareve se do të bëjmë një ndryshim në shëndetësi, që do te sjellë një jetë më të shëndetshme dhe me cilësore për të gjithë, pa përjashtim.
Plani ynë shëndetësor do të ndryshojë jetët e prindërve tuaj.
Plani ynë shëndetësor do te ndryshojë jetën e fëmijëve tuaj.

Ne shqiptarët paguajmë më shumë nga çdo vend tjetër në rajon para nga xhepi për kujdesin shëndetësor.
Ne angazhohemi që jo vetëm të ulim tarifat në mënyrë të ndjeshme, por edhe që këto para të mos shkojnë në xhepat e atyre që kanë kapur sistemin shëndetësor, por të kthehen përsëri tek ju me një shërbim cilësor dhe dinjitoz si për çdo qytetar Europian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb