Projekti gjerman, financuar nga GIZ mbi menaxhimin e mbetjeve, i cili po aplikohet në 5 qytete këtë herë u ndal në Bashkinë e Finiqit, ku dhuroi mbi 100 kontenier, të cilët do të vendosen në gjithë bashkinë, deri në Butrint . Ata do të ndërmarrin një fushatë ndërgjegjësuese me komunitetin, ku do ju flasin që këto mbetje plastike që përfundojnë në det duhan shumë vite, dhe deri 400 vite të shpërbëhen, ndërkohë që rrezikojnë dhe faunën nënujore që të dëmtohet.

Qëllimi i këtij projekti është që mbetjet të ndahen në burim, në të riciklueshme dhe të pariciklueshme dhe për këtë ju duhet mbështetja e komunitetit dhe më pas kalimi në landfillin rajonal.

I pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori gjerman, Peter Zingraf u shpreh se ky projekt për menaxhimin e mbetjeve është një tjetër projekt që synon futjen e Shqipërisë në BE sipas rregullave.

“Eshtë shumë gjë e këndshme që unë jam në këtë ambient dhe në Bashkinë kaq të bukur të Finiqit, faleminderit! Unë kuptova tre gjëra dhe dua t’i shpjegoj se për çfarë e kam fjalën. Këtu bashkohen tre gjera është rajonalja, nacionalja dhe pastaj globalja. 2 minuta jam këtu dhe sapo më ra në dorë një plastik që do ndoshta 400 vjet që të asgjësohet. Kjo infrastrukturë që po merrni ju sot në dorëzim është e mrekullueshme, por ky është hapi i parë, ky është vetëm fillimi, kjo nuk mund të bëhet, po nuk bashkëpunuan të gjithë së bashku. Të gjitha këto lidhen me faktin që Shqipëria po shkon drejt Bashkimit Europian. Gjithë këto projekte që po zhvillohen nga partnerët e huaj në Shqipëri kanë një synim, që e gjithë rregullat, ligjet, apo çdo detyrim që ne marrim përsipër është që të arrihet ai qëllimi që të ofrohet me Bashkimin Europian, ose me ligjet rregullat e BE-së”.

Ndërsa ministri Blendi Klosi nga ana e tij tha se kjo nismë afron një Butrint të pastër një gjë mëse e domosdoshme në kushtet e pandemisë.

“Kjo nismë afron një Butrint të pastër, një natyrë të menaxhuar ashtu si duhet, por dhe një situatë që në radhë të parë ka dashurinë për natyrën. Prandaj shumë faleminderit ambasador që ju familjarisht jeni sot këtu. Po unë ju falenderoj shumë dhe për gjithçka që qeveria gjermane ka bërë gjithë këto vite për të filluar një debat për trajtimin e mbetjeve, mbrojtjen e mjedisit dhe kalimin e kësaj mbrojtjeje shumë më të kulturuar dhe me parime evropiane. Ndajmë së bashku një nga detyrat që kemi ndërmarrë në këtë sezon të vështirë. Ky sezon i vështirë turistik ka kryefjalën e tij luftën kundër pandemisë dhe mos përhapjes të mëtejshme të pandemisë por dhe krijimit të kushteve për të pasur një sezon turistik me rregulla dhe natyrisht një sezon turistik që do të jetë shumë i vështirë dhe me shumë gjëra që duhen bërë. Por e para për të cilat ne nuk duhet të heqim dorë, do të duhet të jetë padyshim pastërtia. Edhe ajo që është një shqetësimet e madha gjithmonë, që ka turistë të shtuar në Sarandë dhe në të gjithë zonën në rrugën që shkon për Butrint, është trajtimi i mbetjeve të qytetit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: