Është ndarë nga jeta Prof. Asoc. Dr. Sulejman Budo, mjeku endokrinolog që i kushtoi më shumë se pesë dekada të jetës mjekësisë shqiptare.

Lajmi është bërë i ditur nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, e cila ka vlerësuar kontributin e tij të rëndësishëm në endokrinologji, diabetologji dhe zhvillimin e mjekësisë nukleare në vend.

Dr. Budo ishte një prej themeluesve dhe figurave aktive të Shoqatës së Diabetit në Shqipëri. Për vite me radhë ai kontribuoi në mjekimin, ndjekjen dhe edukimin e pacientëve diabetikë, duke u angazhuar për menaxhimin sa më të mirë të diabetit.

Krahas punës si mjek, ai ishte pedagog, autor dhe edukues. Mori pjesë në aktivitetet shkencore të Shoqatës, brenda dhe jashtë vendit, si lektor, moderator dhe pjesë e paneleve të diskutimit mbi zhvillimet dhe risitë në fushën e diabetologjisë.

Një tjetër pjesë e veprimtarisë së tij ishte puna si kryeredaktor i revistës “Për ju diabetikë”, përmes së cilës përcillej informacion dhe këshillim për pacientët me diabet.

Dr. Budo ishte i pranishëm edhe në aktivitetet sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese të Shoqatës gjatë muajit të diabetit dhe në Ditën Botërore të Diabetit. Ai merrte pjesë gjithashtu në Maratonat Kombëtare, duke promovuar rëndësinë e aktivitetit fizik si pjesë e menaxhimit të diabetit.

Për kontributin e tij ndër vite dhe rolin si një prej themeluesve të saj, Shoqata e Diabetit në Shqipëri e nderoi Dr. Sulejman Budon me titullin “President Nderi”.

Me ndarjen e tij nga jeta, mjekësia shqiptare humb një profesionist me një karrierë më shumë se 50-vjeçare, ndërsa kolegët dhe pacientët e tij humbin një figurë të njohur të endokrinologjisë dhe diabetologjisë.

Kujtimi i Prof. Asoc. Dr. Sulejman Budos do të mbetet te familjarët, kolegët, pacientët dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb