Mungesa e aksesueshmërisë në transport vijon të jetë një nga barrierat që kufizon pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën shoqërore. Personat me aftësi të kufizuara përballen me mungesën e aksesit dhe diskriminimin në transport, pasojë e të cilit është përjashtimi nga arsimi, kujdesi shëndetësor, aktivitetet sociale dhe të drejta të tjera bazë të njeriut. Sipas shoqërisë civile, ky sektor mbetet i paqëndrueshëm, me boshllëqe të konsiderueshme në përputhje me politikat e transportit të BE-së, ndërsa të drejtat e pasagjerëve me aftësi të kufizuara mbeten një çështje e paadresuar.

Problematika u diskutua në tryezën e rrumbullakët përmbyllëse të nismës “Nga përjashtimi në pjesëmarrje: Të drejtat e pasagjerëve me aftësi të kufizuara në transport”, të organizuar nga Fondacioni “Së Bashku”.

Sipas Fondacionit “Së Bashku”, personat me aftësi të kufizuara përballen me pengesa në përdorimin e transportit, ndërsa mungesa e aksesueshmërisë mund të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e tyre për të aksesuar arsimin, kujdesin shëndetësor, aktivitetet sociale dhe shërbime të tjera bazë. Projekti është fokusuar pikërisht te evidentimi i këtyre problematikave dhe te përfshirja e zërit të personave me aftësi të kufizuara në diskutimet me institucionet publike dhe aktorë të tjerë.

Screenshot 219
Screenshot 219

Në kuadër të nismës janë përgatitur edhe materiale që synojnë të ndihmojnë në identifikimin e problematikave dhe në përmirësimin e transportit të aksesueshëm. Ndër publikimet e Fondacionit “Së Bashku” është “Transporti për të gjithë: Udhëzues mbi transportin e aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara”, ndërsa projekti parashikon edhe analizën e kuadrit ligjor dhe rekomandime për politikëbërësit.

Në fokus të diskutimit është nevoja për një transport që të jetë i përdorshëm nga të gjithë, pa barriera fizike apo pengesa që e bëjnë të vështirë lëvizjen e pavarur të personave me aftësi të kufizuara. Përtej përshtatjes së mjeteve të transportit, çështja lidhet edhe me informacionin, infrastrukturën dhe zbatimin në praktikë të të drejtave të pasagjerëve. Fondacioni “Së Bashku” e lidh këtë çështje me të drejtën për aksesueshmëri dhe pjesëmarrje të plotë në shoqëri, duke e vendosur në qendër parimin “Asgjë për ne, pa ne” dhe përfshirjen e vetë personave me aftësi të kufizuara në proceset që lidhen me të drejtat e tyre.

Tryeza përmbyllëse synon të bashkojë institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe median për të diskutuar hapat e mëtejshëm dhe mënyrën se si mund të garantohet më mirë e drejta për transport të aksesueshëm. Mesazhi kryesor i nismës është se transporti nuk është thjesht një shërbim, por një kusht për të ushtruar edhe të drejta të tjera themelore. Kur një person nuk mund të lëvizë në mënyrë të pavarur dhe të sigurt, pengesa mund të shtrihet edhe në arsim, punësim, shërbime shëndetësore dhe pjesëmarrje sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb