TIRANE

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor i quajtur “ReLOaD2”, i financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri po zbatohet nga PNUD në fazën e dytë.

Sipas menaxherit të projektit pranë PNUD Julian Papaprokos, “Reload 2”synon të fuqizojë demokracinë në nivel vendor por edhe shoqërinë civile dhe rininë që të jetë pjesë aktive në vendimmarrje. “Kjo arrihet nëpërmjet urave të bashkëpunimit që ndërtohen ndërmjet bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile. Ky bëhet përmes një procesi transparent ku përveç fondeve që vë ne dispozicion, Bashkimi Europian bashkë me PNUD, janë gjithashtu edhe fondet e bashkive që të bëra bashkë u japin mundësi organizatave të shoqërisë civile që tu ofrojnë ato shërbime që bashkitë nuk kanë mundësitë aktualisht që t’i ofrojnë qytetarëve” ,-tha Julian Papaproko, menaxher i projekti “Reload2” pranë PNUD.

Më konkretisht, në Bashkinë e Lushnjes, shoqata “Kreo” është ura lidhëse mes qytetarit dhe institucioneve. Zyra e njësisë së referimit te rasteve, ka zgjidhur mbi 215 problematika të qytetarëve kryesisht të komunitetit rom e egjiptian apo të grave dhe vajzave që trokitën në derën e shoqatës si rasti i Blerinës thotë Elisabeta Manka, specialiste e njësisë së vlerësimit të nevojave dhe referimit të rasteve, pranë Bashkisë Lushnje.

Sakaq një ndër përfitueset, Blerina Manko shprehet se zyra në fjalë e ka drejtuar pranë Zyrës së Punës për të gjetur një vend pune si dhe i ka siguruar bonus për qiranë. Edhe në Sarandë, qendra “Jona” ofron kryesisht shërbime psikosociale dhe ligjore, duke ofruar psikolog dhe avokat për gratë dhe vajzat që kërkojnë ndihmë.

Një risi e projektit “ReLOaD2” është fuqizimi i rinisë, nëpërmjet tematikave rinore. “Kemi pasur shumë rezultate nga të rinjtë, shikojmë që kanë dëshirë për të kontribuar në komunitet, këto janë rezultatet qe kemi parë gjatë këtij dy vjeçari dhe synojmë që në dy vjeçarin e dytë të kemi akoma më shumë impakt në planin për rininë si dhe të shohim iniciativat që ata do të na sjellin” ,-u shpreh Julian Papaproko, menaxher i projekti “Reload2” pranë PNUD.

Vetë të rinjtë në Lushnjë i kanë të qarta idetë sesi të japin kontributin në shoqëri kryesisht tek ata që kanë më shumë nevojë tek mosha e tretë. Nxënësit si Erdi Lleshi apo Gersa Isufaj njëzëri thanë se të moshuarit e vetmuar të qytetit po ndihmohen duke u blerë medikamentet apo ushqimet disa herë në javë. Ndërsa një grup maturantësh në Sarandë përmes projekteve të tyre kreative e artistike ua kanë bërë më të bukur mjedisin vogëlushëve të qytetit e jo vetëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: