Nga: AURORA KOROMANI

 

VLORË-E di kush ma ka vënëtritolin në makinë dhe kush ma grabiti makinën. Më mirë të vdes sesa të përulem para krimit”. I vendosur dhe i bindur në ato që thotë, prokurori Dorian Tafili tregon për “Gazeta Shqiptare”, dyshimet e tij për grupin kriminal që mbrëmjen e së martës së javës së kaluar i grabitën makinën, teksa e parkonte djali i tij poshtë banesës. Por, prokurori sqaron se bëhet fjalë për të njëjtin grup kriminal që pikërisht në 23 qershor të vitit të kaluar, teksa shqiptarët votonin, i hodhën në erë makinën në qytetin bregdetar, ku në atë kohë Tafili mbante postin e kreut të Prokurorisë së qytetit të Vlorës. Sipas prokurorit, ky grup kriminal i ka kërkuar disa herë që të bëhet pjesë e marrëveshjeve të tyre, por ai nuk ka pranuar. Ish-krye-prokurori i Vlorës ngre edhe më shumë dyshime kur shprehet se ky grup kriminal ka vendosur edhe eksplozivin në banesën e përfaqësuesit të PD-së, Ardian Kollozi. “Ky grup kriminal ka mbështetje të fortë politike dhe në drejtësi. Janë kriminelët e Rilindjes”, shprehet prokurori Tafili në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”.

Zoti prokuror, para pak ditësh juve ju kanë grabitur makinën teksa djali juaj ishte duke e parkuar atë. Keni ndonjë dyshim se kush mund ta ketë bërë?
Janë të njëjtët persona, kriminelë që mbrohen nga shteti. Kam informacione të sakta, janë ata që më vunë tritolin herën e parë. Janë kriminelët e Rilindjes.
Çfarë problemi ka ky grup me ju?
Unë nuk kam ngacmuar asnjë, por ata duan që unë të përkulem para krimit dhe kriminelëve të Vlorës dhe kjo është arsyeja se përse ky grup do të më heqë qafe, sepse unë nuk jam përkulur dhe nuk do përkulem para krimit.
Ju po deklaroni se të gjitha problemet që keni, ju kanë ndodhur vetëm për shkak të punës suaj si ish-kryeprokuror i Vlorës dhe tashmë si prokuror në këtë qytet?
Absolutisht që për shkak të punës! Që nga janari i vitit 2013 deri në shtator 2013 kam qenë në krye të Prokurorisë së Vlorës dhe ky grup bënte terror në qytetin e Vlorës, bënin terror me eksploziv. Është i njëjti grup që i vuri tritol edhe kreut të PD-së, Ardian Kollozi dhe pak ditë më vonë ma vunë mua. Dhe në këto momente policia ishte e shpartalluar. Unë iu hapa dosjet e vjetra kriminale të gjithëve, për t’i dhënë një mesazh policisë që të mos kishin frikë nga këta kriminelë, të cilët drejtësinë e kishin nën këmbë komplet. Pas hapjes së çështjeve, më vunë tritolin. Por, ata kanë edhe mbështetje politike. Ndërhynë dhe më hoqën mua nga puna, sepse po iu prishja punë, dhe më lanë prokuror të thjeshtë, nga kryeprokuror që isha. Ideja është se ky grup ka mbështetje të fortë politike dhe ata duan që të gjithë të përulen para tyre, të bësh marrëveshje, por unë as i llogaris fare, më mirë rrezikoj jetën time se të bëhem pjesë e këtyre marrëveshjeve. Mua më mirë të më vrasin se të përulem para kriminelëve. Edhe tani pas kësaj, këta bënë këtë tjetrën dhe më vodhën makinën.
Ju, i njihni këta persona? Çfarë lidhjesh ka ky grup kriminal?
Dua të sqaroj se, pas vendosjes së tritolit në makinën time, i arrestuam të njëjtët kriminelë në muajin gusht 2013, pasi dyshoheshin për një vrasje. Ata ndërhynë fuqishëm dhe më larguan nga detyra si kryeprokuror i Vlorës. Menjëherë pas kësaj i liruan. Çështja ime me këta kriminelë është një krim shtetëror. Janë një bandë kriminale me mbështetje të fortë politike dhe në drejtësi. Të gjitha çështjet e tyre me drejtësinë i kanë mbyllur. Çështja e vendosjes së tritolit në mjetin tim ndodhet për hetim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Të gjitha tritolet e Vlorës u zbuluan, vetëm rasti im. Duke qenë se kanë politikën me vete, por edhe drejtësinë, morën përsipër që edhe të bëjnë grabitjen e djalit tim.
Prokuror, ju po bëni deklarata të forta dhe në të njëjtën kohë jeta juaj është rrezikuar disa herë. Keni frikë për veten apo për familjen tuaj?
Jo, absolutisht! Nuk kam frikë. Unë do iu bëj atyre atë që nuk iu shkon mendja, sepse unë nuk do të përkulem asnjëherë para krimit.

 

(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb