TIRANË- Pas takimit me kryeprokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, Prokurori Kombëtar italian i Antimafias, Federico Cafiero De Raho nuk ka nguruar të flasë për grupet kriminale shqiptare.

Sipas tij, ato janë kthyer tashmë në një problem edhe në Itali, pasi kanë arritur të shtrihen gjërësisht dhe të krijojnë lidhje të ngushta me grupet mafioze më të rrezikshme.

“Mafia shqiptare ka aftësi të bashkëpunojë me mafian tonë, kontrollojnë trafikun e drogërave të lehta por edhe të armëve, së fundmi edhe të kokainës. Hetimet që po zhvillohen në Itali janë të shumta në numër”,- u shpreh ai.

De Raho tha se, grupet shqiptare fillimisht kontrollonin trafikun e drogërave të lehta dhe të armëve ndërsa tashmë edhe kokainën. Ndërsa fillimisht aktivitetin e kishin vetëm në Jug, ai shtoi se, tani janë përhapur edhe në Italinë Qendrore e atë Veriore.

“Ndërsa fillimisht aktivitetin e kanë pasur të përqendruar në zonat bregdetare, tashmë janë përhapur edhe në Italinë Qendrore por edhe në Veri. Kriminelët shqiptarë kanë aftësi të krijojnë aleanca me krimin tek ne, ndaj edhe duhet të vijojmë koordinimin dhe bashkëpunimin për t’i prerë këto lidhje”,-tha ai.

Ai foli ndër të tjera edhe për takimin me ministrin e Brendshëm, Xhafaj, i cili tha se e kishte njohur me masat e marra kundër kultivimit të kanabisit, që sipas De Rahos, do shërbejnë për të luftuar kriminalitetin.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb