NGA KLODIANA LALA*

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme shpjegon arsyet përse refuzoi kërke-sën e deputetit Mark Frroku, për të udhëtuar drejt Belgjikës për t’u përballur me drejtësinë. Pas refuzimit të kërkesës nga prokurorët e çështjes, Rovena Gashi e Madrid Kullolli, kristiandemokrati, i cili ndodhet në qeli pas dyshimeve për akuzën e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, në dëm të Aleksandër Kurtit, iu drejtua Gjykatës së Lartë, duke shpresuar që Kolegji Penal ta lejonte për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në Bruksel, që pritet të zhvillohet më datë 19 tetor 2015.

“Me vendimin e datës 15 korrik 2015, prokurorët e çështjes vendosën mospranimin e kërkesës së shtetasit nën hetim Mark Frroku, për të marrë pjesë në seancën gjyqësore që zhvillohet ndaj tij në datën 19 tetor 2015, ora 09:00, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Rrethit Brabant – Wallon, Bruksel, Belgjikë. Duke qenë se seanca gjyqësore zhvillohet në shtetin belg, në kuadër të një procesi gjyqësor të autoriteteve belge, konsiderojmë se Prokuroria e Përgjithshme nuk është autoriteti kompetent për të vlerësuar mbi një kërkesë të tillë. Kjo kërkesë duhet t’i drejtohet autoritetit gjyqësor belg dhe jo Prokurorisë së Përgjithshme”, arsyeton prokuroria.

Sipas prokurorëve, Konventa Europiane mbi Transferimin e Procedimeve Penale, nuk është ratifikuar nga Mbretëria e Belgjikës, ndaj, thekson prokuroria, në rastin e Mark Frrokut, konkretisht nuk mund t’i referohet kësaj konvente. Transferimi i personave të ndaluar (e në rastin konkret midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës) parashikohet si në Konventën e Këshillit të Evropës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Protokollet e saj shtesë, ashtu edhe në Ligjin nr. 10193, datë 03.12.2009, “Për Marrëdhëniet Juridiksionale me Autoritetet e Huaja në Çështjet Penale”. Konkretisht, në nenin 21 të Konventës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike thuhet se “1. Kur autoriteti gjyqësor i huaj thërret për të pyetur një person të ndaluar në Shqipëri, ai mund të transferohet përkohësisht në shtetin kërkues. 2. Transferimi i përkohshëm i personit vendoset nga ministri i Drejtësisë, nëse shteti kërkues jep garanci për mbrojtjen dhe kthimin e personit brenda periudhës së përcaktuar”.

Po duke u ndalur te Frroku, prokuroria thekson se: “Konsiderojmë se transferimi i përkohshëm i personave të ndaluar bëhet me qëllim marrjen në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit dhe jo në cilësinë e të pandehurit apo për të gjykuar një person”. Deputeti Frroku është në fazën e gjykimit, ndaj nuk mund të transferohet përkohësisht. “Sa më sipër, prokuroria shqiptare nuk është autoriteti kompetent për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën tuaj për transferimin dhe pjesëmarrjen në seancën gjyqësore që do të zhvillohet në Mbretërinë e Belgjikës”, ka parashtruar prokurori përpara Gjykatës së Lartë.

Në fakt, në seancën e datës 21 gusht, Kolegji Penal rrëzoi kërkesat e deputetit Frroku, ku kryesorja ishte ndryshimi i masës së sigurisë, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, përkundrejt një garancie pasurore prej dhjetë mijë eurosh, si dhe dhënia e pëlqimit që të paraqitej në seancën gjyqësore në Belgjikë. Mark Frroku ndodhet në paraburgim, pasi po hetohet për akuzën e “vra-sjes me paramendim”, kryer në 1999-ën në Belgjikë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: