Zbardhen detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në Qerret të Durrësit, në Katund i Ri.

Burime zyrtare konfirmojnë për BalkanWeb se dy persona, pronari i banesës dhe fqinji i tij, kanë qenë duke shembur tarracën e objektit të vjetër, dhe gjatë punimeve, një pjesë e saj është shembur dhe i ka zënë poshtë.

Pas alarmit të dhënë nga familjarët, u njoftua policia dhe shërbimi zjarrfikës. Me ndërhyrjen e tyre, u bë e mundur ndalja e personave nga rrënojat, por njëri prej tyre, konkretisht pronari, ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Qerret, Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Sh. Sh. dhe shtetasin A. R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.

Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të 2 shtetasve. Shtetasi Sh. Sh. (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A. R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb