Ndihmat e dërguara në ndihmë të ukrainasve dhe kryesisht banorëve të Mariupolit të bllokuar në qytet prej kohësh pa ujë, ushqime apo medikamente, shpesh janë bërë shënjestër e ushtarëve rusë dhe nuk kanë mundur të arrijnë atje ku duhet.

Daily Mail ka publikuar një video, ku tregohet propaganda e ushtrisë ruse. Ushtarët rusë tregohen duke shpërndarë ndihmat e destinuara për qytetarët ukrainas por të rrëmbyera prej tyre, në atë që është konsideruar një marifet propagandistik.

Pamjet u dhanë nga Alexey Podolian, një komandant ukrainas i plagosur rëndë në një sulm rus me mortaja.

“Dua që bota të dijë të vërtetën. Ekziston një rregull që ndihmat humanitare nuk mund të sulmohen. Por rusët po bëjnë pikërisht këtë. Ata po i kërkojnë dhe më pas i sulmojnë. Një mik i imi që luftoi në Mariupol dhe u kap, pa ushtarë rusë duke sulmuar autokolona, duke vjedhur ushqime dhe produkte të tjera dhe më pas ua jepnin civilëve sikur të vinte prej tyre. Ata e bëjnë këtë vetëm për kamerat dhe më pas pjesën tjetër e marin vetë”, tha komandanti 26-vjeçar i artilerisë.

Videoja, e shpërndarë mes trupave ukrainase që luftojnë në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, u postua në faqen e shërbimit të mesazheve Telegram të kryekomandantit çeçen Ramzan Kadyrov, një aleat i Vladimir Putinit.

Ajo tregon luftëtarët çeçenë dhe ushtarët rusë që u japin banorëve ushqim dhe pije me shkrim ukrainas mbi të.

 

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb